“Nga refugjat, në hero”- Burim Havolli që u vra në Bruklin, do varroset në Podujevë

Burim Havolli, 41 vjeçari nga Kosova u vra tragjikisht në Bruklin derisa po tentonte të ndalonte një vjedhje në ndërtesën ku ai ishte mbikëqyrës. Pas lajmit për vrasjen e tij, reagime të shumta patën edhe familjarë e miq të Havollit. Ndër të tjerash, familjarët kanë njoftuar se varrimi i tij do të bëhet në Kosovë…

Lajme

14/11/2025 09:45

Burim Havolli, 41 vjeçari nga Kosova u vra tragjikisht në Bruklin derisa po tentonte të ndalonte një vjedhje në ndërtesën ku ai ishte mbikëqyrës.

Pas lajmit për vrasjen e tij, reagime të shumta patën edhe familjarë e miq të Havollit.

Ndër të tjerash, familjarët kanë njoftuar se varrimi i tij do të bëhet në Kosovë – posa të përfundojnë procedurat ligjore në Amerikë.

Policia njoftoi se një person është marrë në pyetje, por deri tani nuk janë ngritur akuza. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vazhdojnë.

Familjari Fitim Havolli tha se varrimi do të bëhet në Kosovë derisa falënderoi të gjithë për interesimin dhe ngushëllimet.

Burim Havolli kishte shkuar në Amerikë, pas luftës në Kosovë.

Vëllai i tij, Blerim Havolli derisa ishte në lot fliste për mënyrën se si të dy i mbijetuan luftës në Kosovë dhe më pas u arratisën për në Amerikë, për një jetë më të mirë.

“Ai e donte këtë vend. Ky vend na ka ndihmuar shumë”, tha Blerim Havolli për CBS News.

Vëllai tha se familja po e përjeton rëndë vdekjen e 41-vjeçarit.

“Nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë. Kjo është e trishtë. Ai la pas tre [fëmijë] dhe ishte vetëm 41 vjeç”, tha nga ana tjetër, kushëriri Petrit Havolli./Lajmi.net/

https://www.facebook.com/share/p/1FZwvGLyC1/