Nga prilli i vitit të kaluar ura e rrëzuar, më në fund disa punëtorë e ekskavatorë shihen tek Ura e Badovcit

Që në prill të vitit të kaluar Ura e Badovcit që gjendet në rrugën Prishtinë-Gjilan ishte mbyllur për qarkullim. Mbyllja e kësaj ure ishte bërë për shkak të rrezikshmërisë që paraqiste. Ministria e Infrastrukturës pati nisur një projektim të ri të urës, por përgjatë gjithë këtyre muajve qytetarëve iu desh që të shfrytëzojnë rrugën alternative.…

Lajme

09/09/2024 20:48

Që në prill të vitit të kaluar Ura e Badovcit që gjendet në rrugën Prishtinë-Gjilan ishte mbyllur për qarkullim.

Mbyllja e kësaj ure ishte bërë për shkak të rrezikshmërisë që paraqiste.

Ministria e Infrastrukturës pati nisur një projektim të ri të urës, por përgjatë gjithë këtyre muajve qytetarëve iu desh që të shfrytëzojnë rrugën alternative.

Kjo rrugë alternative si fillim ishte paasfaltuar, por që më pas u bë pak më e lehtë për qarkullim falë asfaltimit.

Ura në Liqenin e Badovcit, që lidh prej sa vitesh Prishtinën dhe Gjilanin e anasjelltas konsiderohej e rrezikshme për qarkullim, e kësisoj zgjidhje u bë rruga 2 kilometërshe të cilën do të duhet ta kalojnë prej sa kohësh,.

Edhe pse në kontratën e nënshkruar është përcaktuar që punimet do të kryhen brenda 125 ditëve, punimet për ndërtimin e urës në afërsi të Liqenit të Badovcit kanë ngecur.

Ministria pati njoftuar se si fillim punimet ishin ndërprerë për shkak të rritjes së nivelit të ujit në Liqenin e Badovcit.

Anipse Kosovën gjatë gjithë verës e mbuloi një thatësi e madhe, mbi urë nuk u punua asgjë.

Kushdo që ka pasur mundësinë të kalojë në këtë anë e ka kuptuar lehtësisht se aty nuk punonte askush.

Por ekipi i lajmi.net ka qëndruar sot pikërisht në këtë pikë ku edhe është kuptuar se punimet kanë filluar.

Pikërisht tek Ura e Ibrit janë parë ekskavator dhe punëtorë të cilët po zhvillonin punimet në kuadër të kësaj ure.

Duhet theksuar se qytetarët janë ankuar vazhdimisht se rruga në këtë drejtim iu është tejzgjatur dhe shpesh herë kanë hasur në probleme në mjetet e tyre të udhëtimit.

Në lidhje me nisjen e punimeve lajmi.net ka tentuar të marrë përgjigje dhe nga Ministria e Infrastrukturës, por të njëjtit nuk janë përgjigjur./Lajmi.net/