Nga pesë qershori, posta do të shpërndahet me biçikletë

Postierët e Kosovës brenda këtij viti do të pajisen me biçikleta ekologjike dhe do t’i braktisin motoçikletat dhe automjetet tjera.

Lajme

24/03/2016 14:36

Kjo është bërë e ditur sot nga takimi i ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, dhe Kryeshefit Ekzekutiv të Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha. Ata biseduan për disa projekte të përbashkëta të cilat do të jenë në interes të qytetarëve të vendit, me theks të veçantë në fushën e mjedisit.

Kryeshefi Hoxha, tha se një prej prioriteteve kryesore të Postës së Kosovës për këtë vit, është zëvendësimi i motoçikletave dhe automjeteve tjera me bicikleta ekologjike, thuhet në komunikatën e MMPH-së.

Ministri Agani pohoi se duke qenë se edukimi dhe ndërgjegjësimi mjedisor është një prej prioriteteve të Ministrisë së Mjedisit, zbatimi i një pilot-projektit të tillë, do të ishte shumë i dobishëm dhe në këtë frymë i pari i MMPH-së i dha mbështetje kësaj ideje.

“Të dy palët u dakorduan se zëvendësimi i secilit automjet dhe motoçikletë me bicikleta ekologjike, do të ndikonte direkt në uljen e emetimit të gazrave të dëmshme dhe ndotjes së mjedisit në përgjithësi”, thuhet në komunikatë transmeton lajmi.net.

Po ashtu u tha se përdorimi i e-bicikletave nga postierët e postës do të ndikonte edhe në edukimin dhe ndërgjegjësimin mjedisor të qytetarëve të Kosovës.

Fillimi i zbatimit të këtij pilot-projekti do të bëhet më 5 qershor, në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit.