Nga mesnata në Kosovë fillon zbatimi i marrëveshjes për sigurimin e automjeteve

Zbatimi i memorandumit rreth policave të sigurimit të automjeteve, që në Bruksel është arritur mes përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, do të duhej të hynte në fuqi sonte në mesnatë.

Lajme

11/08/2015 11:15

Marrëveshja nënkupton se automjetet e regjistruara në Kosovë do të mund të kalojnë në territorin e Serbisë me policat e sigurimit MTPL, derisa për automjetet me targa serbe në Kosovë do të vlejë polica e sigurimit që vlen për Serbinë.

Marrëveshja për sigurimin e automjeteve mes Prishtinës dhe Beogradit është dashur të hyjë në fuqi më 24 korrik, një muaj pas arritjes së marrëveshjes, por ishte shtyrë, ndërsa Prishtina dhe Beogradi kanë fajësuar njëra-tjetrën për këtë shtyrje.

Siç është raportuar më parë në disa media në Kosovë, MTPL për Serbi do të kushtojë njëjtë si për Maqedoni, që do të thotë në varësi të kategorisë së automjeteve, rreth 40 euro për automjetet e pasagjerëve, kurse qytetarët e Kosovës më nuk do të kenë nevojë të paguajnë për targat provuese që të hyjnë në Serbi.

Ministri për komunitete dhe kthim në Qeverinë e Kosovës, Dalibor Jetviq, ka deklaruar për Radio Kontakt Plus në Mitrovicë, se marrëveshja për sigurimin e automjeteve është një nga ato marrëveshje për të cilat qytetarët janë më shumë të interesuar.

Sipas Jevtiq, arsyeja për këtë është e natyrës ekonomike, sepse njerëzit e kanë pranuar me gëzim lajmin për heqjen e sigurimit shtesë për makina, dhe se këto pagesa do të bëhen në baza vjetore, që do të thotë se nuk do të paguhen si më parë.

“Shpresoj se sonte do të fillojë zbatimi i marrëveshjes siç edhe është parashikuar, ku ne kemi kërkuar nga përfaqësuesi i BE-së të dalë me detaje rreth kësaj kërkese dhe pyetjeve të qytetarëve rreth asaj se si do të udhëtojnë me targa RKS”, ka deklaruar Jevtiq.

Ai shtoi se beson se marrëveshja për sigurimin e automjeteve që do të shmang shpenzimet shtesë për qytetarët, do të duhej të reduktonte procedurën në pikëkalime dhe kolonat e gjata. Jevtiq gjithashtu beson se nuk do të ketë vonesa të mëtejshme.

“Kësaj here jemi marrë vesh rreth atyre paqartësive që ishin krijuar herën e fundit, dhe tani mbetet të shihet sonte në mesnatë se çfarë do të ndodhë, dhe edhe njëherë i bëjmë thirrje Komisionit Evropian të dalë me detaje rreth zbatimit të marrëveshje rreth memorandumit për sigurimin e automjeteve”, ka shtuar Jevtiq.

Qytetarët e Kosovës deri më tani për të hyrë në Serbi kanë paguar rreth 100 euro për sigurimin e automjeteve të tyre për një muaj, derisa për hyrje në Kosovë është paguar rreth 40 euro për dy javë.

Kosova nuk është anëtare e Byrosë së kartonit të gjelbër, dhe shoferët nga Kosova ende nuk kanë karton të gjelbër për automjetet e tyre.