Nga lufta, te medalja olimpike

Një arritje historike, e kurorëzuar me një medalje të artë të jashtëzakonshme në xhudo, e fituar nga Majlinda Kelmendi, e cila në finale e mundi italianen Odette Giuffrida, pikërisht në pjesëmarrjen e parë të vendit të saj në Olimpiadë.

Sport

10/08/2016 12:28

Olimpiada e Rios po dhuron emocione dhe histori të ndryshme. Prej tyre, njëra prej më të veçantave është ajo e Majlinda Kelmendit, xhudistes kosovare që ia solli medaljen e artë vendit të saj, Kosovës, shkruan sot gazeta Zëri.

Asgjë e pazakontë, sportistët fitojnë për vete dhe për vendin që e përfaqësojnë, por në këtë rast, vendi që po flasim është Kosova, shkruan uebfaqja italiane “sportfair.it”, e cila ia ka kushtuar një shkrim interesant kampiones botërore dhe evropiane.

Ndër vite, në vendet e ish-Jugosllavisë, lufta ka qenë protagoniste: në vitin 1995, pas luftës në Bosnje e Hercegovinë, një pjesë e shqiptarëve vendosën të shkojnë në Kosovë, për t’iu bashkuar UÇK-së (Ushtria Çlirimtare e Kosovës).

Pas disa vitesh, të kaluar në mes luftës dhe dhunës ideologjike, në vitin 2008 Kosova ia doli ta shpall Pavarësinë, duke e bërë edhe flamurin dhe himnin e saj.

Në vitin 2014, ky vend i ri hyri në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, duke iu bashkuar vendeve që do të ishin pjesë e Olimpiadës së Rios.

Një arritje historike, e kurorëzuar me një medalje të artë të jashtëzakonshme në xhudo, e fituar nga Majlinda Kelmendi, e cila në finale e mundi italianen Odette Giuffrida, pikërisht në pjesëmarrjen e parë të vendit të saj në Olimpiadë.

Image

Kelmendi, e cila e mbajti flamurin e Kosovës gjatë ceremonisë hapëse të “Rio 2016”, ka shpërthyer në lot gëzimi dhe çlirimi, kur e fitoi medaljen më të rëndësishme që mund ta shijojë një sportist.

“E kisha ëndërruar gjatë këtë moment, duke refuzuar shumë oferta milionëshe nga vendet që dëshironin që unë t’i përfaqësoja në Olimpiadë. Mirëpo, të gjithë milionat e botës nuk do të ishin të mjaftueshëm për të më bërë të ndihem siç ndihem sot”, ka thënë 25 vjeçarja pasi e fitoi medaljen e artë në Brazil.

Kelmendi kështu është fituar në histori të sportit kosovar, mbi të gjitha në atë të kësaj Olimpiade, e cila ditë pas dite po dhuron histori gjithnjë e më të bukura.

“Xhudistja Majlinda Kelmendi e ka fituar medaljen e artë olimpike në pjesëmarrjen e parë të Kosovës në Olimpiadë, duke e shkruar historinë e një vendi që është përshkuar nga lufta dhe dhuna”, ka përfunduar shkrimi i mediumit italian, shkruan Zëri.

Kosova po merr pjesë në Olimpiadë me tetë garues. Krahas Majlindës, “Rio 2016” po e shijojnë edhe xhudistja tjetër, Nora Gjakova, notarët Lum Zhaveli e Rita Zeqiri, atletët Musa Hajdari e Vijona Kryeziu, çiklisti Qëndrim Guri dhe shenjëtarja, Urata Rama.

Pesë prej tyre deri tash e kanë mbyllur eksperiencën olimpike, ndërsa tre të tjerë, Zhaveli, Hajdari e Kryeziu, do ta nisin aventurën e tyre në tri ditët në vazhdim.

Ata kanë pak gjasa për medalje, pasi kanë shkuar në Brazil me ftesa, por Kosova e ka mbyllur misionin me sukses, falë sportistes më të madhe të saj, Majlinda Kelmendi, e cila do të pritet në vendlindje si heroinë të dielën.