Nga heqja e Zonës së Sigurisë Ajrore përfiton Kosova dhe rajoni
Është folur shumë këto ditë për “Zonën e Sigurisë Ajrore”, për të cilën më 20 nëntor njoftoi edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, se aleanca ka autorizuar Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (KFOR) që të lirojë plotësisht këtë zonë ajrore të sigurisë.

Lajme
Për nënshkrimin e marrëveshjes së KFOR-it, si i autorizuar i NATO-s me Forcat e Armatosura të Serbisë për heqjen e kësaj zone, u raportua se Serbia tash ka adresuar edhe kërkesë për të mbikëqyrur dhe kontrolluar këtë zonë, e cila po hiqet tërësisht, por kjo nuk qëndron thuhet në një dokument të siguruar nga Indeksonline.
Kjo zonë 25 kilometra e gjatë, shtrihet përtej Vijës së Kufirit Administrativ të Kosovës dhe ishte vendosur në fazat e hershme të misionit të udhëhequr nga Aleanca paqeruajtëse e KFOR-it në Kosovë.
Zona e Sigurisë Ajrore ishte vendosur me Marrëveshjen Tekniko-Ushtarake (MTU) në mes Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë (KFOR) dhe qeverive të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Republikës së Serbisë.
Marrëveshja Tekniko-Ushtarake (MTU) ishte nënshkruar më 9 qershor 1999 dhe zona e sigurisë ajrore ishte liruar dy herë deri më tash. Në vitin 2001 ishte liruar 10 kilometra dhe në vitin 2003 edhe 5 kilometra të tjera, derisa tash po lirohet tërësisht.
Heqja e plotë e Zonës së Sigurisë Ajrore do të jetë në dobi të normalizimit të hapësirës ajrore të Ballkanit, duke përfshirë hapësirën ajrore të Kosovës. Kjo përbën një hap shumë të rëndësishëm për zhvillimet e ardhshme të mundshme dhe që do të përmirësojë lëvizjen e trafikut ajror në rajon.
“Kosova mund të përfitojë nga kjo nëse ajo merr pjesë në qasjen rajonale ndaj kësaj çështjeje dhe nëse bashkëpunon në të njëjtin drejtim”, thuhet në këtë dokument zyrtar të siguruar nga Indeksonline.
Kjo heqje e Zonës së Sigurisë Ajrore u jetësua si përgjigje ndaj konfirmimit të angazhimit të Serbisë për normalizimin e hapësirës ajrore të Ballkanit dhe pasqyron historinë pozitive të bashkëpunimit në mes të KFOR-it dhe Forcave të Armatosura Serbe (FAS) në kuadër të Komisionit të Përbashkët Implementues dhe nuk ka të bëjë me kurrfarë përpjekje të tyre për të kontrolluar kurrfarë zone.
“Heqja e kësaj zone mundëson që fluturimet e planifikuara komerciale të realizohen përmes rrugëve ajrore më të drejtpërdrejta. Kjo do të mundësoj fluturime më të shkurtra në rajon dhe kursime për përdoruesit e hapësirës ajrore. Relaksimi i “Zonës së Sigurisë Ajrore” tregon se rajoni është në rrugën drejt integrimit të plotë në sistemin e menaxhimit të hapësirës ajrore evropiane”, shkruan në këtë dokument informativ të siguruar nga Indeksonline.
Sipas informacioneve zyrtare të KFOR-it, sistemi i menaxhimit të hapësirës ajrore evropiane do t’i sjellë të gjithë rajonit normalizim të hapësirës ajrore, zgjidhje të sigurta dhe shërbime të cilësisë së lartë, forcim të bashkëpunimit rajonal, integrim të sigurt të trafikut ajror, optimizim të rrugëve ajrore dhe opsione për aeroport rajonal, bashkëpunim më të ngushtë ndërshtetëror dhe përfitime mjedisore, si reduktim të ndikimit të emetimit të gazrave, por edhe efektivitet të kostove. /Indeksonline/