Nga gjuha “rrugaçe” deri në përleshje fizike, përfaqësuesit e partive me “boksa” nëpër debate

Gjuha fyese, sulmet verbale dhe fizike, duket se tashmë janë bërë shprehi e disa prej përfaqësuesve të partive politike nëpër debate televizive.

Lajme

15/09/2019 20:07

Në kohën kur vendi pritet të zgjedh institucionet e reja, fushata parazgjedhore po përcillet me akuza, fyerje e madje edhe me përleshje fizike.

Jo me larg së të mërkurën ndodhi një rast i tillë, kur kandidati e VV-së, Haki Abazi dhe ai i PSD-së Dardan Molliqaj,  gjatë një debatit televiziv u përplasën ashpër duke përdorur edhe gjuhë fyese.

Por, duket se nuk përfundoi me kaq, madje u raportua se pas debatit ata patën edhe një përleshje fizike jashtë objektit të televizionit ku ishin të ftuar.

Haki Abazi kandidat për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, pas debatit tha se ishte sulmuar fizikisht nga kandidati i koalicionit AAK-PSD, Dardan Molliqaj.

Por këto akuza i mohoi Molliqja përmes një postimi në Facebook, i cili tha se nuk ndodhi asgjë më shumë se sa një debat me tensione.

Këtë gjuhë fyese si dhe sulmet verbale e fizike,  po i konsiderojnë si të papranueshme Shoqëria Civile në vend. Ata kanë kërkuar nga partitë politike që t’i disiplinojnë kandidatët e tyre.

Jetmir Bakija nga “Demokracia Plus”, duke folur për lajmi.net, ka thënë se partitë politike duhet të dorëzojnë ankesa në PZAP kur përdoret kjo gjuhë pasi është e sanksionuar me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

“Kandidatët për deputet duhet të kursehen nga gjuha fyese në baza personale dhe duhet të përdorin gjuhën e argumentit për idet programore që përfaqësojnë. Partitë politike duhet t’a dënojnë këtë gjuhë dhe t’i disiplinojë kandidatët e vet kur lëshohen në asi gjuhë. Gjithashtu, partitë politike duhet të dorëzojnë ankesa në PZAP kur përdoret kjo gjuhë pasi është e sanksionuar me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Ndërsa, mediumet televizive duhet të jenë më përgjegjëse në moderim dhe mos të lejojnë përdorimin e gjuhës fyese”, ka thënë Bakija.

Ai po ashtu ka thënë se përleshja fizike e kandidatëve duhet të hetohet, si dhe të bëhen bazë për diskualifikimin e kandidatëve nga listat zgjedhore.

“Ndërsa, përleshjet fizike të kandidatëve duhet të hetohen dhe bëhen bazë për diskualifikimin e kandidatëve nga listat zgjedhore”, ka thënë tutje Bakija.

Edhe Demokracia në Veprim ka dënuar ashpër gjuhën fyese të kandidatëve të subjekteve politike në debate.

DnV-ja u bën thirrje kandidatëve të subjekteve politike që garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit, të përmbahen nga gjuha denigruese e seksiste, sulmet verbale dhe fizike.

“Aktet e dhunës dëmtojnë kredibilitetin e procesit zgjedhor, krijojnë ambient të pasigurt politik dhe rrezikojnë të nxisin përplasje qytetare. Subjektet politike dhe kandidatët e tyre duhet të kultivojnë vlerat bazike të demokracisë duke treguar pjekuri dhe profesionalizëm në debate dhe duke lejuar konkurrueshmëri të ideve dhe platformave”, thotë DnV.

DnV-ja fton Policinë e Kosovës, që të reagojë shpejt dhe në mënyrë efikase në qartësimin e situatave dhe në informimin e drejtë të publikut.

Kujtojmë se një përleshje mes anëtarëve të VV-së dhe PSD-së ka ndodhur edhe më parë.

Ishte deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi dhe ai i VV-së Xhelal Sveçla që me të mbaruar emisioni “Rubikon”, i kanë larë hesapet me rrahje.

Por, kjo nuk është hera e parë që Frashër Krasniqi ishte përfshirë në rrahje me deputetë nga Kuvendi i Kosovës.

Kohë më parë Krasniqi kishte sulmuar fizikisht, në një emision live, në atë kohë deputetin e Nismës, Milaim Zekën. /Lajmi.net/