Nga e marta, 130 xhihadistë të vrarë në Siri

Rreth 130 xhihadistë të huaj dhe 12 sirianë janë vrarë që prej së martës nga sulmet e koalicionit të drejtuara nga SHBA-të, konfirmoi sot drejtori i Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut (OSDH).

Bota

25/09/2014 22:36

“Në total, 84 xhihadistë të organizatës së Shtetit Islamik dhe 57 të Frontit al-Nusra (degë siriane e Al-Kaidës) janë vrarë, mes të cilëve bëjnë pjesë vetëm 12 sirianë”, theksoi për agjencinë franceze të lajmeve AFP Rami Abdel Rahmane, nga OSDH.

Mediet boshnjake raportuan sot se në Siri është vrarë komandanti i njësitit boshnjak të xhihadistëve.

Sipas llogaritjeve të kësaj OJQ-je, që mbështetet në një rrjet informatorësh, burime mjekësore dhe të militantëve në të gjithë vendin, thuhet se xhihadistët e huaj të vrarë ishin me origjinë nga vendet evropiane dhe arabe, por gjithashtu edhe nga Turqia dhe Çeçenia.

Nga 12 të vrarë sirianë, 11 i përkisnin grupit të Shtetit Islamik dhe një Frontit al-Nusra.

“Sulmet kanë shkaktuar gjithashtu dhe vdekjen e 13 civilëve sirianë”, sipas OSDH-së.

Koalicioni ka kryer më shumë se 30 sulme në veri dhe lindje të Sirisë, rajon që i ka shpëtuar kontrollit të regjimit të Bashar al-Asad.