Të Infektuar: 14119

Të Shëruar: 10546

Të Vdekur: 563

Nga dëmtimet e Hazard te Isco pa shkëlqim, ja 5 telashet e Zidanes pa bërë merkato

23:12 | 16 Shtator 2020

Reali i Madridit nuk ka nevojë për blerje sepse ka alternativa dhe futbollistë të shkëlqyer, por sigurisht që pa merkato Zinedine Zidane do të vuajë dhe do të ketë disa telashe.

CASEMIRO- Të gjenin një zëvendësues për Casemiron. Ky ishte një nga prioritetet e Realit të Madridit në merkato. Braziliani luajti 46 ndeshje dhe 4080 minuta sezonin e kaluar. Iu desh të shtrëngonte dhëmbët në disa sfida dhe në të tjera të ishte i kujdesshëm për shkak të kartonëve. Zidane pyetej gjithmonë se kur do të pushonte Casemiro, por nuk kishte një përgjigje. Valverde dhe Toni Kroos e kanë bërë këtë rol në pak sfida, por ata nuk bindin. Casemiro është i pazëvendësueshëm dhe duhej afruar një lojtar tjetër. U fol shpesh për Camavingën, por ai vendosi të qëndronte në Francë.

GOLAT- Edhe pse Karim Benzema luftoi deri në javën e fundit për t’u shpallur golashënues i kampionatit spanjoll, goli vazhdon të jetë problem për Realin. Transferimi i Joviçit sezonin e kaluar nuk rregulloi asgjë dhe skuadra madrilene e ka vuajtur shumë largimin e Cristiano Ronaldos.

Benzema nuk diskutohet sepse ka qenë një nga lojtarët më të mirë të Realit në vitin e fundit, por ka pasur shumë ndeshje ku Zidanes i ka munguar një “vrastar” përpara portës kundërshtare. I përzgjedhuri ishte Haland, por bisedimet me skuadrën madrilene ngecën në mënyrë të papritur.

ISCO PA SHKËLQIM- Ka pasur shumë thashetheme për të ardhmen e Iscos këtë verë, por mesfushori kurrë nuk e planifikoi largimin. Edhe Zinedine Zidane nuk e bezdis aspak qëndrimi i tij, por duhet të tregojë më të mirën nga vetja për të mos qenë rezervë. Isco ka dy vite që mungon në fushë, për arsye nga më të ndryshmet. Reali ka nevojë për versionin e tij më të mirë për të triumfuar edhe në Evropë. Dëmtimet e shumta dhe mungesa e vazhdimësisë kanë qenë një problem për të.

KRAHU I DJATHTË- Është i njëjti problem që Zidane ka edhe me Casemiron. Kush do të luajë në krahun e djathtë nëse dëmtohet Carvajal? Zizu ka opsion vetëm Odriozolën, e ardhmja e të cilit nuk është e sigurt në Madrid. Zidan nuk e pëlqen shumë dhe në këtë rol mund të “sajohet” Lucas Vazquez.

DËMTIMET E HAZARD- Reali i Madridit e ka vuajtur shumë vitin e kaluar mungesën e një lojtari të rëndësishëm si Eden Hazard. Ai u transferua për të bërë diferencën dhe për të qenë yll i skuadrës, por dëmtimet nuk e lejuan që të shkëlqente. Zidan shpreson që ky të jetë viti i tij, por sërish është shumë larg formës optimale dhe rikthimi nga kombëtarja e Belgjikës nuk ka qenë i duhuri.