Nga 30 ditë paraburgim për të gjithë të dyshuarit e arrestuar për terrorizëm

Gjykata Themelore e Prishtinës ka shqiptuar të enjten masën e paraburgimit prej një muaji për të gjithë të arrestuarit, të dyshuar se kanë nxitur urrejtje kombëtare, racore dhe fetare dhe kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak, përkrahë organizatave terroriste,  ISIS dhe Al-Nusra.

Lajme

14/08/2014 12:36

Gjykata Themelore e Prishtinës, nëpërmjet një kumtese ka bërë të ditur se pse vendosi ta pranojë kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e paraburgimit 30 ditësh për të dyshuarit për terrorizëm.

Gjykata konstatoi se të gjithë të akuzuarit në të kaluarën e afërt kanë udhëtuar jashtë Kosovës duke shkuar edhe në Siri, për t’u kthyer përsëri, ndërsa ekziston rreziku i arratisjes së tyre nëse ndodhen në liri teksa zhvillohen hetime kundër tyre.

Gjykata vendosi t’i mbajë të burgosur të dyzetët edhe për faktin se ata mund të dënohen jo më pak se pesë vjet nëse vërtetohen veprat penale për të për veprat me të cilat ngarkohen.

Si rrethanë rënduese gjatë vendosjes për caktimin e paraburgimit u konstatua edhe mundësia e të dyshuarve për ndikim në dëshmitarë dhe falsifikim provash.

Në kumtesë gjithashtu thuhet se të dyshuarit duke qenë se i takojnë një grupi të përbashkët kriminal, po të liroheshin do të përbënin rrezik për kryerjen e sërishme të veprave për të cilat ngarkohen.

Pak përpara shqiptimit të masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore për 40 të arrestuarit e së hënës, Policia ka konfirmuar se të enjten në mëngjes ka arrestuar edhe dy të dyshuar të tjerë për vepra të njëjta, njëri nga ta edhe imami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Zekrija Qazimi, i cili ka shërbyere në xhaminë El-Kuddus në Gjilan.  

Dyzet (40) personat e dyshuar për terrorizëm janë arrestuar nga Policia e Kosovës në orët e hershme të mëngjesit të së hënës, nën dyshimin se kanë kryer vepra penale nga kapitulli “Veprat Penale Kundër Rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës Së Kosovës” i Kodit Penal të Kosovës.

 “Ky operacion, sipas Policisë, është ndërmarrë duke vlerësuar rrezikun dhe rëndësinë për sigurinë nacionale, mbrojtjen e rendit kushtetues, ruajtjen e rendit dhe ligjit, si dhe në frymën e ruajtjes së respektimit të të drejtave të secilit person të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në cilësi të provave materiale janë konfiskuar edhe materiale inkriminuese lidhur me veprat për të cilat dyshohen këta persona, duke përfshirë mjete eksplozive, armë dhe municion të kalibrave të ndryshëm, si dhe dëshmi tjera që ndërlidhen me rastin.

Për nxitje të urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare, si dhe nxitje të shkuarjes për të luftuar në Siri dhe Irak, ishte paralajmëruar se nën hetime janë edhe disa imamë.

Imami i xhamisë El-Kuddus në Gjilan, i cili u gjet i fshehur në malin afër shtëpisë së tij, sipas Prokurorisë dyshohet të jetë një ndër frymëzuesit kryesorë të xhihadit”, dhe së bashku me të dyshuarin tjetër, L. K. Nga Skënderaj, janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së vendit si: Rekrutim për terrorizëm, sipas nenit 139 të KPK-së; organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist, sipas nenit 143 të KPK-së; nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, sipas nenit 147 të KPK-së.