Nexhat Dacin: Ramushi do të jetë i dobishëm si kryeministër
Ish-kryeparlamentari Nexhat Daci, një nga figurat më të rëndësishme politike në Kosovën e pasluftës, në një intervistë për Gazetën Express, ka analizuar kandidatët që po garojnë për postin e kryeministrit, Ramush Haradinajn, Avdulla Hotin dhe Albin Kurtin, si dhe koalicionet që i kanë nominuar ata për këto pozita.
Lajme
Daci ka folur edhe për listën e LDK-së, duke e quajtur atë hakmarrje dhe “aksham pazar” të kryer nga Isa Mustafa në momentet e fundit. Ai ka thënë se kjo parti është shumë larg nga koha e Ibrahim Rugovës, duke ua rekomanduar një reformë të thellë.
Akademiku Daci në intervistën për Gazetën Express ka theksuar se kandidatë për kryeministër janë “tre motorë të fuqive të ndryshme kreative, por edhe ekzekutive që kanë përparësitë dhe kanë minuset e tyre”. Por, çfarë reprezenton për Dacin tani Ramush Haradinaj me të cilin kishte punuar dikur dhe e kishte favorizuar për Kryeministër në vitin 2004, kur LDK dhe AAK kishin bërë koalicion?
“Do të jetë shumë i dobishëm edhe për shtetin edhe për qytetarin. Rreth asaj që a e shoh si fitues të këtyre zgjedhjeve, nuk dua të deklarohem për një mijë arsye. Por unë vlerësoj që secili që do të jetë kryeministër, shpresoj që të mos i kopjojë kryeministrat e kaluar, qeveritë e kaluara. Të ketë një koncept të vetin se si e sheh jetën e qytetarit të lumtur”, ka thënë ai.
Gazeta Express: Z. Daci, Qeveria “Mustafa” këtë muaj u rrëzua nga pushteti, nuk u respektua koalicioni i iniciuar nga PDK-ja. Si i komentoni ju zhvillimet e fundit në vend?
Nexhat Daci: Sipas bindjes sime, kur është krijuar ai koalicion është ndërtuar mbi bazën e interesave të vijave politike dhe mbi asnjë bazë të përbashkët për të mirën e qytetarëve dhe të shtetit.
Gazeta Express: Partitë politike pas shpalljes së datës së zgjedhjeve, themeluan koalicionet, në njërën anë krahu i luftës PDK-AAK-Nisma, e në anën tjetër LDK-AKR-Alternativa. Si i shihni këto koalicione: të duhura apo mendoni se qëllimi ka qenë vetëm arritja drejt fitores?
Nexhat Daci: Tash janë tri vija, jo dy. Do të kishte qenë shumë më lehtë po të ishin dy koalicione ose dy vija. Sepse tani janë tre rrugë në shtetndërtim të ardhshëm, krejtësisht pa pika tangjente dhe është shumë e vështirë që njeriu të shprehë një mendim, sepse bartësit e të tre vijave janë në plotëni të ndryshme, mendoj për kandidatët për kryeministër.
Gazeta Express: Si i vlerësoni kandidatët për kryeministër nga radhët e tri blloqeve politike në vend?
Nexhat Daci: Për nga vija e shkollës, e letrave klasike, Avdullah Hoti është pa konkurrencë në krahasim me dy kandidatët e tjerë. Do të thotë Hoti e ka shkollën e rregullt ekonomike, do të thotë tre nivelet, fakultetin, magjistraturën edhe doktoratën, dhe ka qenë ministër i mirë. Por kur t’i marrë këta dy kandidatët e tjerë i kanë përparësitë e tyre. Ramush Haradinaj objektivisht, është njeriu më meritor i luftës në terren dhe i fitoreve dhe njeriu që si familje ka dhënë më së shumti, dy vëllezër, pastaj dhe i treti, e ka zhvillua një luftë gati në tërësi për zhvillimin e Kosovës dhe është njeriu pjesërisht i fjalës, dhe është i pakrahasueshëm në këto elementë me këto dy kandidatët e tjerë. Kandidati i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në pjesën e parë të shkollimit universitar është larg mbi këta dy kandidatët e tjerë. Ka qenë një student më shumë se brilant, i suksesshëm. Dhe një përvojë të rezistencës politike e cila i kalon këta dy kandidatë. Pra janë tre motorë të fuqive të ndryshme kreative, por edhe ekzekutive që kanë përparësitë dhe kanë minuset e tyre. Unë kam pasur vullnet të jem në të dy gradacionet, siç qëndron zakonisht në botën ku jetojmë edhe ne. Por tani është ajo që është dhe do të ishte mirë që fushata parazgjedhore të jetë korrekte. Unë e shoh një fillim të mbarë dhe pres një rezultat që kësaj radhe do të jetë për qytetarin e rëndomtë. E jo për oligarkitë politike ose për interesat ndërkombëtare. Nuk ka nënçmim më të madh se pensionet që janë sot në Kosovë. Kjo është budallallëk historik që është bërë në Kosovë dhe që po e bëjnë tash. Nuk kam shumë simpati për këto koalicionet e mëdha apo koalicionet kurrfarë, që kurrkujt hair nuk i kanë sjellë. Ajo parti politike që vjen në vend do të duhet të mendojë për të mirën e shtetit, me të vërtetë e jo false.
Gazeta Express: Te çështja e kandidatëve për kryeministër, e përmendët që z. Haradinaj ka qenë i mirë në betejë. A mendoni që do të jetë Haradinaj i suksesshëm edhe në diplomaci, si kryeministër i vendit?
Nexhat Daci: Do të jetë shumë i dobishëm edhe për shtetin edhe për qytetarin. Rreth asaj që a e shoh si fitues të këtyre zgjedhjeve nuk dua të deklarohem për një mijë arsye. Por unë vlerësoj që secili që do të jetë kryeministër, shpresoj që të mos i kopjojë kryeministrat e kaluar, qeveritë e kaluara. Të ketë një koncept të vetin se si e sheh jetën e qytetarit të lumtur.
Gazeta Express: Ju keni qenë pjesë e LDK-së, a mendoni se ky subjekt është menaxhuar mirë nga lideri i tanishëm, Isa Mustafa?
Nexhat Daci: Unë nuk kam urrejtje ndaj ndonjë partie, por nuk ka dashuri ndaj partive të sotme. Unë jam në shtratin e LDK-së gjenetikisht, por tjetër është sa ka sot ajo LDK diçka të LDK-së rugoviane, asaj LDK-së që e ka pasur ajkën e intelektualëve të Kosovës, që gati të gjitha shtresat kanë votuar. Sot LDK-ja është shumë larg asaj që kemi qenë e që unë e dëshiroj.
Gazeta Express: A mendoni se LDK-së i duhet një reformim i thellë?
Nexhat Daci: Shumë i thellë. Nën një, duhet të hiqet i pari i LDK-së. Nuk them as që ka bërë keq a diçka tjetër. Por thjesht nuk është rritur me atë filozofi të LDK-së, nuk ka jetuar me atë filozofi, e nuk jeton as sot. Një periudhë i ka fituar zgjedhjet, por u pa me Qeverinë. Një qeverisje e dy partive më të mëdha, të gjitha këqijat ia ka lënë këtij populli pa e kryer një punë të hairit.
Gazeta Express: LDK-ja dje publikoi listën e kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës. Në të disa nga figurat më të rëndësishme të këtij subjekti u lan në fund të listës, si e komentoni renditjen e kësaj liste?
Nexhat Daci: Qëllimin nuk e di, a ka qenë hakmarrje e Mustafës puna me këto lista. Duket në shikim të parë, por më tutje nuk e di. Mund të jetë edhe dobiprurëse, sepse nuk mundet dikush ta votojë një femër më shumë se Vjosa Osmanin. Ose që ka lënë disa njerëz që kanë pasur shumë vota. Mund të jetë që, sot patjetër që t’ia japësh votën një kandidati t’i duhesh ta rrethosh partinë njëherë. Ndoshta ka qenë një aksham pazar, sepse pazari ka dominuar në politikë dhe ekonomi, mjerisht së fundmi. Realisht është mjeruese renditja që iu është bërë realisht njerëzve është qesharake. Por unë thashë ndoshta ekonomistët kanë pazare të tjera dhe nuk e vlerësojnë. Por unë thashë që ata që janë shumë prapa, ndoshta do të fitojnë shumë vota, por ndoshta jo 40 mijë.
Gazeta Express: Si e shihni vendimin e Lëvizjes Vetëvendosje për të garuar e vetme në zgjedhje?
Nexhat Daci: Unë kam thënë gjithmonë dhe po e theksoj, Vetëvendosja është një pasuri shumë e madhe e Kosovës. Për nga anëtarësia janë njerëz të shkolluar, janë të pastër. Menaxhimi me atë resurs human, është diçka tjetër. Unë mendoj që ky subjekt ka bërë një gabim shumë të madh që ka garuar e vetme në zgjedhje. Unë pas zgjedhjeve do të dëshiroja që LVV-ja të shkojë në koalicion me akademikët.