“NEWBORN”-i, 10 vjet simbol i shtetësisë
Pak ditë para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në një zyrë të një kompanie të reklamimit në Prishtinë ishin duke menduar për një lojë të thjeshtë në internet, por më vonë ndryshoi ideja dhe u bë një mesazh i fuqishëm për të gjithë botën.
Lajme
Bëhet fjalë për obeliskun “NEWBORN”, që u bë simbol i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Ky monument tash e dhjet vjet është pamja që shoqëron artikujt e mediumeve botërore për Kosovën. Gjithashtu përgjatë këtyre viteve “NEWBORN” ka marrë shumë çmime ndërkombëtare.
Në 10-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë ideatori i këtij obelisku, Fisnik Ismaili, ka rrëfyer për gazetën “Zëri” për idenë fillestare dhe për mirëmbajtjen e “Newborn”-it përgjatë këtyre viteve. “U patëm mbledhur në zyrën e “Karrota/Ogilvy”-s, kompanisë sime, për të dalë me disa ide për një lojë në internet, që donim ta bënim për një klient për kampionatin e futbollit, i cili mbahej në qershor 2008. Në bisedë e sipër filluam të flasim për ditën e pavarësisë edhe mua më hyri në kokë fjala ‘newborn’, prej së cilës bashkë me ekipin e shtjelluam më tutje dhe vendosëm të jetë një skulpturë topografike 3 metra e lartë në të cilën qytetarët tanë do të shkruanin sipas dëshirës, që t’ia japin një porosi krejt botës”, ka rrëfyer Ismaili, shkruan sot Gazeta ‘Zëri’.
Ai ka thënë se prej idesë në atë mbledhje deri te realizimi përfundimtar më 17 shkurt ishin 11 ditë.