New York, një shqiptar i Kosovës akuzohet për vrasjen e gruas

Një shqiptar i Kosovës është arrestuar në Brooklyn të New York-ut me akuzë se ka vrarë gruan e tij, poashtu nga Kosova, nënë e katër fëmijëve, duke e prere brutalisht me thikë pas një fjalosjeje midis tyre. 

Lajme

21/05/2014 11:23

Për këtë vrasje makabre njoftuan të gjitha kanalet televizive lokale të New York-ut, ABC, NBC, CBS, Fox News si dhe gazetat New York Post, New York Newsday, Daily News.

I arrestuari Hasan Rugova, 52 vjeç, akuzohet se tw hënën, në orët e hershme të mëngjesit kishte prere me thikë në qafë gruan Gyltene Rugova 46 vjeçe, e cila si pasojë e plagëve kishte ndërruar jetë.

“Njëra ndër ditët më të lumtura të jetës së saj ishte edhe dita e fundit e jetës”,  shkruan New York Daily News duke nënvizuar se po atë ditë, pra të hënën, Gyltenja bashkë me djalin e saj Idrizin kishin hapur një Restaurant Pizzeria që e kishin emëruar “Sammy’s Pizzeria.”

I akuzuari për vrasje Hasan Rugova kishte bërë përpjekje të therë veten më thikë duke marrë plagë në barkë, por sipas deklaratave në këtë akt vetëvrasjeje e kishte penguar djali i tij 14 vjeçar, Ibrahimi, i cili poashtu kishte pësuar prerje në dorë.

Bashkëshortët kanë edhe tre fëmijë të tjerë. Dëshmitarë që i kanë njohur thonë se bashkëshortët Hasani dhe Gyltene kanë qenë kujdestarë mirëmbajtës të ndërtesës ku jetonin dhe të gjithë i njihnin si punëtorë dhe njerëz të dashur. Të tjerë kanë deklaruar për të akuzuarin se ishte alkoolist dhe e kishin parë shpesh të dehur, shkruan gazeta The New York Post. /RTK/