Netanyahu, por edhe Hamasi shpallën fitoren në luftën 7-javëshe

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu shpalli sonte fitoren në luftën kundër Hamasit, duke theksuar se me marrëveshjen për ndërprerjen e zjarrit nuk i është dhënë asgjë asaj organizate islamike.

Bota

28/08/2014 00:17

Ai po ashtu paralajmëroi se Izraeli do të përgjigjet ashpër në çdo raketë të ardhshme të hedhur nga Gaza, në qoftë se ndërprerja e zjarrit nuk respektohet.

 Në konferencë me gazetarë, që u transmetua në televizionin nacional, Netanyahu tha se Izraeli ka siguruar arritje të madhe ushtarake e politike dhe se Hamasit i ka dhënë grusht të fuqishëm gjatë shtatë javëve të konflikteve të armatosura.

Netanyahu me këtë fjalim tentoi të hedhë poshtë kritikat për shkak të luftës 50 ditëshe, në të cilën u vranë mbi 2,200 njerëz, kryesisht palestinezë.

“Hamasit i është dhënë goditje e fuqishme. Izraeli nuk lëshoi pe ndaj asnjë kërkese të Hamasit”, tha ai.

Sulmet izraelite kaun shkatërruar mijëra shtëpi dhe rreth 100,000 njerëz kanë mbetur pa kulm mbi kokë.

Në anën tjetër, edhe Hamasi shpalli fitoren, duke theksuar se Izraeli nuk ka mundur të ndalojë sulmet me raketa dhe garanatahedhës të tyre dhe se për këtë arsye me mijëra njerëz në jug të Izraelit janë detyruar të evakuohen.

Madje, në Gaza sonte u mbajt mitingu fitimtar, në të cilin një nga liderët e kësaj organizate, Ismail Hanie lavdëroi familjet të afërmit e të cilave u vranë gjatë konfliktit.

Abu Obeida, zëdhënës i krahut ushtarak, theksoi se “Gaza ka arritur fitore, sepse ka bërë atë që nuk ka mundur ta bëjnë as armatat e mëdha, ta detyrojnë armikun që të tërhiqet”.