Nesër vullnetarët i bashkohen aksionit për pastrimin e deponisë më të madhe në Rajonin e Pejës

“Let’s Do It” njofton se nesër duke filluar nga ora 10:30, vullnetarët do t’i bashkohen aksionit për pastrimin e deponisë më të madhe në Rajonin e Pejës, në fshatin Dydesh.

Lajme

20/05/2019 16:55

Aksioni për pastrimin e kësaj deponie ka filluar sot me makineri. Deponia gjendet në një zonë në mes të Komunës së Pejës dhe asaj të Istogut, andaj pastrimi i asaj deponie do të mbështet financiarisht nga te dy komunat.

Për pastrimin e kësaj deponie, më e madhja në Rajonin e Pejës, “Let’s Do It” do të ofrojë një sasi derivatesh për makinerinë që do të kryej pastrimin në atë zonë. Përveç pastrimit, e njëjta hapësirë do të rrethohet, e më pas edhe do të gjelbërohet.

Përveç ekipit së “Let’s Do It” dhe vullnetarëve të tjerë, aksionit të nesërm do t’i bashkohen edhe kryetarët e dy komunave përkatëse, përkatësisht kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, dhe kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova.

Po ashtu, në këtë e-mail, Let’s Do It ju ka dërguar edhe kalendarin e aktiviteteve që parashihen të mbahen nga nesër deri më 6 qershor. Për detajet e secilit prej aktiviteteve, do t’ju njoftojmë me kohë. /Lajmi.net/