Nesër të dëshmojmë pjekuri politike

Presidentja Atifete Jahjaga thotë se nesër është detyrë e përbashkët që të tregohet fuqia e shtetit ligjor, që garanton pacenueshmërinë e votës së qytetarit. Kështu, sipas saj, ndihmohet procesi i demokratizimit të plotë të vendit.

Lajme

30/11/2013 11:00

Presidentja Atifete Jahjaga, deklaroi sot, se gjatë zgjedhjeve të 3 nëntorit institucionet e drejtësisë u treguan efikase dhe të mobilizuara për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e qytetarëve.

Dhe, kjo sipas saj, është vetëm një pjesë e testit që Kosova ka kaluar me sukses.

Jahjaga u shpreh se pjesa tjetër e testit ka mbetur që të dëshmohet nesër, kur do të zhvillohen votime në 25 komuna të Kosovës.

Këto komente Jahjaga i bëri një ditë para mbajtjes së balotazhit, në Konferencën e Tretë Vjetore të Gjyqësorit të Kosovës.

“Nesër duhet ta dëshmojmë se jemi shoqëri e pjekur politikisht, dhe sepse sistemi demokratik që kemi ngritur na garanton paprekshmërinë e votës dhe lirinë e plotë për të vendosur vetë. Dhe kjo garanci për lirinë e votës duhet të jetë për çdo qytetar, kudo, në çdo pjesë të Kosovës, edhe në veri të territorit të Republikës së Kosovës, për komunitetin serb, për t’ia mundësuar atij integrimin më të lehtë dhe më të sigurt në shoqërinë dhe institucionet e vendit”.

“Detyra jonë e përbashkët është që ta bëjmë Kosovën shtet të secilit qytetar të tij, pa dallim, dhe shtet me integritet të plotë. Nesër është sërish detyra jonë e përbashkët që të tregojmë fuqinë e shtetit ligjor, që garanton pacenueshmërinë e votës së qytetarit duke ndihmuar procesin e demokratizimit të plotë të vendit tonë”.

Jahjaga kërkoi angazhim e pëkushtim nga të gjithë për të përmbyllur betejen e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Luftën kundër këtyre dukurive e kemi shndërruar në përparësi të punës sonë për ta fituar dhe për të treguar se duam të ndërtojmë shtet demokratik me standardet më të larta, për të mirën e qytetarit dhe të ardhmes së tij”.

“Le të mos e konsiderojmë këtë vetëm si një kriter për integrim evropian, por si një standard të shoqërisë sonë, të pastër, pa korrupsion e krim të organizuar”.

“Le të dëshmojnë se gjeneratat e reja e kanë të sigurt të ardhmen dhe të mos na vlerësojnë të paguximshëm për të kryer punën tonë”.

Sipas Presidentes Jahjaga, sundimi i ligjit dhe gjykatat efektive janë pjesë thelbësore që garantojnë përparimin e gjithmbarshëm të shoqërisë dhe avancojnë proceset e Kosovës drejt integrimeve evropiane.

“Ju keni bërë punë deri sot. Keni nisur një proces të reformimit të thellë të sistemit të drejtësisë dhe kjo duhet të kryhet. Duhet të intensifikohen këto reforma jo vetëm në kuadër të legjislacionit por edhe në ndërtimin e politikave më të mira për zbatimin e tij, sepse funksionalizon sistemin tonë demokratik duke garantuar integritetin e gjykatave. Kjo mundëson funksionimin tonë si tërësi unike”.

“Reformat në fushën e drejtësisë janë një hap i madh i yni që tregon se ne jemi gati të marrim përgjegjësi. Tregon se ne dimë dhe mund të bëjmë Kosovën vend të sundimit të ligjit. Sundimi i ligjit nënkupton edhe ndihmën që ne si institucione duhet t’u ofrojmë të gjitha grupeve të margjinalizuara që të kenë qasje në drejtësi.  Sepse ne – Qytetarët e Republikës së Kosovës, jemi të barabartë përpara ligjit dhe Kushtetutës dhe sepse institucionet e Republikës së Kosovës duhet ta garantojnë këtë të drejtë”.