Nesër takohen Bahtiri e Rakic, bisedojnë për heqjen e barrikadës

Çështja e heqjes së barrikadës mbi lumin Ibër do të jetë temë e takimit që do të zhvillohet nesër ndërmjet kryetarit të komunës së Mitorvicës, Agim Bahtiri dhe kryetarit të Mitrovicës Veriore, Goran Rakic.

Lajme

26/03/2014 17:03

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, pritet që nesër të takohet me homologun e tij nga Mitrovica e Veriut, Goran Rakic

Barrikada mbi urën e Mitrovicës vazhdon të sfidojë edhe më tej lëvizjen e lirë të qytetarëve në dy anën e lumit Ibër. Nazmi Ismaili nga lagja “Kroi i Vitakut”, në pjesën veriore të Mitrovicës ankohet se barrikada u ka vështirësuar shumë jetën banorëve në këtë lagje, raporton Radio Kosova.

“Kjo barrikadë na ka rëndu jetën dhe po pengon lëvizjen tonë të lirë për në pjesën jugore. Nuk po duket ndonjë shenjë për heqjen e saj, ndonëse komuna ka premtuar se do ta heqë. Por ne, si banorë të veriut mendojmë se këtë nuk mund ta bëjnë institucionet komunale dhe ato qendrore pa ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare. Po të donin ata, kjo barrikadë as nuk do të ishte vendosur aty”, thotë ai i dëshpruar.

Nga pala serbe në veri thonë se në mesin e tyre nuk ekziston vullneti që ajo të largohet. Të paktën kështu deklaroi për Radio Kosovën nënkryetari i Asamblesë komunale të Mitrovicës së Veriut, Aleksander Spiriq. “Para së gjithash, është e domosdoshme rivendosja e besimit midis popullatës së veriut dhe asaj të jugut. Ne mendojmë se ende nuk janë krijuar momenti dhe as ambienti për heqjen e asaj barrikade. Aktualisht nuk mund të flitet për një gjë të tillë. Presim që  në të ardhmen  të arrijmë një marrëveshje, por tani duke pasur parasysh rrethanat ekzistuese, themi se ende nuk ka ardhur momenti për heqjen e barrikadës.”

Nga ana e tij kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, vazhdon ti mbetet besnik premtimit të tij elektoral. Ai tha për Radio Kosovën se heqja e barrikadës mbetet prioritet i tij. Këtë çyshtje tha kryetari Bahtiri do ta bisedoj të enjten me kryetarin e ri të Komunës veriore të Mitrovicës, Goran Rakiq me të cilin do të takohet në veri.

“E kemi caktuar për të enjten(28 mars) të takohemi me kryetarin e komunës së veriut. Me mua do të jenë edhe përfaqësuesit e pushtetit lokal. Jam duke bërë përpjekje maksimale që kjo pengesë e cila është mbi urën e lumit Ibër të hiqet. Unë jam njeri nga sfera e biznesit dhe njerëzit e biznesit njohin vetëm zhvillim ekonomik, prandaj po shpresoj se kjo pengesë të hiqet së  shpejti.”

Bahtiri tha se në takimin me kolegun e tij nga veriu Goran Rakic të enjten do të bisedojë edhe për kthimin e serbëve në jug të qytetit dhe shqiptarëve në veri.

“Është absurde që 15 vjet pas përfundimit të luftës, qytetarët qofshin shqiptarë apo serbë, të mos mund të kthehen në shtëpitë e tyre”, tha ai.