Nesër skadon afati i paraburgimit për Grupin e Drenicës

Të enjten skadon afati i paraburgimit për Sylejman Selimin, Sami Lushtakun dhe pesë ish-pjesëtarët tjerë të UÇK'së. Avokati Tomë Gashi, ka thënë se gjithçka do të varet nga Kryetari i Trupit Gjykues se a do të ndërpritet apo do të vazhdohet prapë paraburgimi.

Lajme

22/01/2014 10:06

23 janari është data kur do të skadojë afati i paraburgimit, për ish-Komandantin e Përgjithshëm të UÇK’së, Sylejman Selimi, ish-komandantin e zonës operative të Drenicës, Sami Lushtaku dhe pesë bashkëluftëtarëve të tjerë.

Avokati mbrojtës i Sylejman Selimit, Tomë Gashi, ka deklaruar për lajmi.net se gjithçka do të varet nga gjyqtari i i EULEX`it nëse do t`u vazhdohet paraburgimi, ish-pjesëtarëve të UÇK`së.

“Nesër skadon afati i paraburgimit për ish Komandantin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK`së, Sylejman Selimi, ish Komandantin e Zonës Operative të Drenicës z. Sami Lushtakun dhe pesë bashkëluftëtarëve të tyre të cilët gjenden në paraburgim që nga 31 maji i vitit 2013”.

“Për të ndërprerë apo vazhduar paraburgimin e gjitha varet nga gjyqtari i EULEX`it, i cili është Kryetar i Trupit Gjykues në një gjykim eventual të ardhshëm pasi që ai të vendos lidhur me kundërshtimet e avokatëve mbrojtës të 15 ish komandantëve dhe ushtarëve të UÇK’së kundër aktakuzës së ngritur kundër tyre nga ish’prokurori i EULEX’it z. Salustro për veprën penale të krimeve të luftës”.

15 ish-pjesëtarët e UÇK`së të njohur si “Grupi i Drenicës” akuzohen se kanë kryer krime lufte gjatë vitit 1998 në fshatin Likovc, ndërsa shtatë prej tyre vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim që nga 31 maji i vitit 2013.