Nesër protestë në Prishtinë: Specialja cenon sovranitetin dhe njollosë luftën e UÇK-së (Video)
Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, sot në një konferencë për media kanë bërë të ditur se nesër organizojnë një protestë në kryeqytet, përmes të cilës kundërshtojnë themelimin e Gjykatës Speciale.
Lajme
Xhavit Jashari, duke folur në emër të këtyre organizatave ka ftuar deputetët e Kuvendit të Kosovës, që të mos e votojnë këtë gjykatë. Ai ka thënë se protesta po organizohet kundër padrejtësive që po u bëhen ish pjesëtarëve të UÇK-së, dhe sipas tij, Gjykata Speciale do të jetë vazhdimësi e padrejtësive që janë bërë që nga koha e UNMIK-ut dhe EULEX-it.
Ai ka thënë se kjo gjykatë, përveç se po bëhet me tendencën për ta njollosur luftën e UÇK-së, e cenon edhe sovranitetin e shtetit të Kosovës.
Ndërsa, duke folur për agjendën e protestës, Jashari ka bërë të ditur se ajo fillojë në sheshin “Skënderbe”, për të vazhduar me marshim në rrugën “Agim Ramadani”, deri te selia e EULEX-it.
Protesta do të përkrahet edhe nga parlamentet studentore të universiteteve të Prishtinës, Prizrenit dhe Pejës.
Jashari ka komentuar edhe vendimin e Gjykatës për rastin “Drenica”, për të cilin ka thënë se është vendimi më banal që ndonjë herë është marrë nga drejtësia ndërkombëtare. (lajmi.net)