Nesër nis votimi për “Oscars 2022”, filmi “Zgjoi” nis fushatën promovuese dhe kërkon përkrahjen e shqiptarëve

ShowBiz

26/01/2022 15:52

Nesër (e enjte) nis procesi i votimit të anëtarëve të jurisë për çmim e Akademisë së Filmit, “Oscars 2022”.

Kosova për herë të parë është në listën e ngushtë të pretendentëve për t’u nominuar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar” me filmin “Zgjoi”.

Regjisorja Blerta Basholli, kasti i filmit, përfshirë aktoren Yllka Gashi kanë nisur një fushatë promovimi për filmin në rrjetet sociale.

Ata kanë realizuar një baner të filmit nën titullin “Kosova’s Official Entry for Oscars (Hyrja Zyrtare e Kosovës për Oscars)”, të cilën kanë filluar ta shpërndajnë në rrjetet sociale.

Filmi është shpërndarë me disa hashtagë, të cilët do të ndihmojnë në shpërndarjen më virale të posterit të filmit, me çka mund të ndikojë edhe më tepër në promovimin ndërkombëtar të tij.

“Bazuar në një histori të vërtetë frymëzuese, ‘Hive (Zgjoi)’ tregon historinë e fuqizimit, qëndrueshmërisë dhe triumfit të Fahrije Hotit dhe grave të Krushës në një situatë kur heqja dorë po troket në derën tuaj”, ka shkruar regjisorja e filmit Blerta Basholli në Facebook.