Nesër nënshkruhet MSA, kryeministri udhëton për në Strasburg

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka udhëtuar për në Strasburg, raporton lajmi.net.

Lajme

26/10/2015 16:40

Kjo ngase nesër, 27 tetor, do të bëhet nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim.

Kjo datë, për Kosovën llogaritet të jetë datë historike.

Nënshkrimet për të pritet t’i vendosin Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogerini dhe Komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johanes Hahn, ndërsa nga Kosova, kryeministri Isa Mustafa dhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku.

Qeveria kosovare vlerëson se MSA është një prej marrëveshjeve tepër të rëndësishme që po arrihet në këtë periudhë dhe një sukses i madh i Republikës së Kosovës.

Është thënë se me MSA, Kosova  krijon marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian për herë të parë.

Sa i përket përfitimeve ekonomike nga MSA, nënkupton liberalizimin e tregut me Bashkimin Evropian në tërësi, përpos disa produkteve specifike të përfshira në marrëveshje, e që pritet të sjell investimeve direkte në Kosovë.

Negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, kanë nisur para dy vitesh, në 28 tetor të vitit 2013./ lajmi.net