Nesër merret vendimi për fatin e Greqisë në eurozonë

Greqia do të godasë evazionin fiskal dhe do të modernizojë shërbimin e saj civil, në përpjekje për të siguruar paketën e ndihmës, ka thënë ministri i shtetit të Greqisë, Nikos Papas.

Bota

22/02/2015 15:26

Qeveria është duke punuar në një paketë të reformave, të cilën duhet t’ua paraqesë kreditorëve ndërkombëtarë të hënën.

Nëse reformat miratohen, Greqisë do t’i zgjatet për katër muaj koha e pagesës së borxheve.

“Ne po hartojmë një listë të masave për ta bërë shërbimin civil të Greqisë më efektiv dhe për të luftuar evazionin fiskal”, ka thënë Papas.

Ai ka shtuar se bisedimet këtë javë do të jenë “një betejë e përditshme…çdo centimetër i tokës duhet të fitohet me përpjekje”.

Marrëveshja e arritur të premten me ministrat evropianë të financave i zgjat Greqisë programin e shpëtimit financiar për katër muaj, por kreditorët i kanë dhënë Athinës afat deri të hënën për të dalë me listën e reformave.