Nesër mbyllen shkollat, grevë njëditore (Video)

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), në mbledhjen e mbajtur të enjten, ka marrë vendim që ditën e nesërme, e premte, 30 janar 2015, të mbahet grevë njëditore në të gjitha shkollat parauniversitare të Republikës së Kosovës. 

Lajme

29/01/2015 12:10

Këtë vendim sindikalistët e arsimit e kanë marrë për shkak të mosplotësimit të kushteve të mësimdhënësve për zbatimin e Kontratës Kolektive nga ana e Qeverisë, si dhe u kanë bërë thirrje prindërve që të premten të mos i dërgojnë fëmijët e tyre nëpër shkolla, pasi sipas SBASHK-ut, ato do të jenë të mbyllura.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, ka thënë se përkundër deklarimeve të disa zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit se një pjesë Kontratës Kolektive është duke u zbatuar, një gjë e këtillë, sipas tij nuk është duke ndodhur.

Jashari ka thënë se çdo kontratë e nënshkruar duhet të zbatohet, është një e drejtë ligjore, dhe sipas tij masa për grevë njëditore është marrë pasi janë shterur të gjitha mundësitë për dialog me palën tjetër.

“Edhe pse publikisht është deklaruar se disa nga pikat e Kontratës Kolektive janë të realizueshme, kemi ardhur në përfundim konkret se asnjëra nga pikat kyçe nuk janë realizuar”.

“Në arsimin parauniversitar dhe Universitetin e Prishtinës dita e nesërme është grevë një ditore”.

“Ju drejtohem prindërve që pasi që është grevë një ditore, që për hir të sigurisë së fëmijëve t’i mbajnë fëmijët në shtëpi”, ka thënë Jashari.

Ai ka thënë se për veprimet e ardhshme do të varet nga qëndrimi që do të mbajnë mësimdhënësit e Kosovës.

Edhe Bardh Bardhi, nga sindikata e punëtorëve të Universitetit të Prishtinës, ka thënë se ata do të përkrahin këtë grevë.

“Për këtë grevë një ditore ne kemi pëlqimin e 16 sindikatave nga 17 sa i kemi gjithsej. Fakulteti Elektroteknik, i Makinerisë dhe ai Filozofik nuk do ti bashkëngjiten grevës. Nesër nuk do të punohet  nga 8:00-16:00”, tha Bardhi.