Nesër mbahet pjesa e parë e testit të arritshmërisë

Mbi 24 mijë nxënës të klasave të nënta nesër do ti nënshtrohen pjesës së parë të Testit të Arritshmërisë, i cili do të mbahet në 176 qendra të testimit, ku të angazhuar për mbarëvajtje të këtij procesi janë rreth 1600 administrues.

Lajme

03/06/2022 13:47

Pjesa e dytë e Testit do të mbahet më 14 qershor dhe nxënësit do të kenë mundësi që gjatë dy ditëve të përgjigjen në 200 pyetje, 4 lëndë në ditën e parë dhe 5 lëndë në ditën e dytë të testimit.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci me këtë rast ka vizituar shkollën fillore të mesme të ulët “Dardania” në Prishtinë, ku ka biseduar rreth organizmit të testit të arritshmërisë, me nxënës, mësimdhënës dhe drejtues të kësaj shkolle.

Duke rikujtuar se nxënësit e kësaj gjenerate janë përballuar me vështirësitë e krijuara nga pandemia COVID-19, ministrja Nagavci tha se ata do të kenë në dispozicion 2 orë për tu përgjigjur në pyetjet e parashtruara, për të cilat edhe shprehu bindjen se do të jenë në përputhje me atë çfarë kanë mësuar gjatë shkollimit.

Sa i përket uljes së përqindjes së pikëve për regjistrim në shkolla të mesme të larta, nga 60 në 40 përqind, ministrja Nagavci theksoi se, qëllimi i vetëm ka qenë që nxënësit të mos penalizohen për punën që kanë bërë për nëntë vite, vetëm sepse gjatë ditës së testimit kanë mund të mos japin maksimumin.

Duke qenë se i tërë procesi organizohet në bashkëpunim me DKA-të, ministrja Nagavci ka kërkuar përgjegjësi nga të gjithë akterët e përfshirë në proces, si dhe respektim të plotë të rregullave të caktuara.

Ministrja Nagavci iu uroi nxënësve suksese në test dhe në shkollimin e tyre të mëtutjeshëm, ndërsa kërkoi nga ata që të jenë të qetë dhe të koncentruar gjatë testimi.