Nesër kuptohet se a është Kosova pjesë e strategjisë së BE-së

Nesër do të publikohet strategjia e Bashkimit Evropian për zgjerimin potencial të saj.

Lajme

05/02/2018 14:51

Nëse propozimet e tanishme miratohen dhe kushtet plotësohen atëherë Serbia mund të bëhet anëtare e plotë e BE-së në vitin 2025.

Sipas propozimeve të deritanishme nga drafti i këtij dokumenti, Mali i Zi është gjithashtu në duart e Serbisë dhe kushti i nevojshëm që duhet përmbushur është sundimi i ligjit. Ndërsa në rastin e Serbisë është e nevojshme normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, shkruan ‘Blic’, transmeton lajmi.net.

Siç njoftoi ditë më parë ‘Financial Times’, plani i BE-së është që në anëtarësim të jenë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnje dhe Hercegovina si dhe Kosova.

FT thekson se një ndër arsyet kryesore që Brukseli synon t’i marrë këto vende është se strategët e BE-së frikësohen se Rusia po e rrit zonën e saj të ndikimit pikërisht në zonën ku tradicionalisht ka aleatë – Ballkanin Perëndimor.

Megjithatë, drafti i këtij dokumenti duket se nuk është përfundimtar sepse çdo vend i Bashkimit mund të dërgojë propozimet e veta por edhe ankesat, siç bëri Spanja ditë më parë.

Sipas këtij shteti, Kosova nuk është pjesë e procesit të zgjerimit. Në njërën nga ankesat e Spanjës thuhet se Kosova mund të konsiderohet vetëm si rajon brenda Serbisë.

‘Blici’ serb shkruan se Spanja nuk e bën këtë për shkak të Serbisë por mbi të gjitha duke pasur parasysh interesat e saj, në veçanti përvojën e vitit të kaluar me Kataloninë.

Duket se marrëveshja ligjërisht e detyrueshme midis Beogradit dhe Prishtinës po i afrohet realitetit duke pasur parsaysh projektstrategjinë por edhe deklaratat që janë përsëritur vazhdimisht nga zyrtarët serbë dhe evropianë në kohët e fundit.

“BE shpreson që Serbia të ketë një dokument ligjërisht të detyrueshëm me Prishtinën pas të cilit mund të bëhemi anëtar në BE”, ka deklaruar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Një gjë e tillë është përsëritur edhe në fund të vitit të kaluar nga presidenti i Parlamentit Evropian, Antony Tajani.

Për vendet e rajonit, Draft Strategjia për Zgjerimin e Ballkanit Perëndimor thotë së në vitin 2019 Shqipëria dhe Maqedonia duhet të hapin negociatat e pranimit  me Brukselin dhe Bosnje Hercegovinën për të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Maqedonia duhet të arrijë rezultate të prekshme në zgjidhjen e mosmarrëveshjes për emrin.

Sa i përket Kosovës thuhet se deri në fund të vitit 2019 duhet të arrijë normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë për t’i hapur rrugën vetes drejt Evropës./Lajmi.net/