Nesër Kosova, pastaj Prishtina

Isa Mustafa takoi strukturat e dy degëve të LDK’së në Prishtinë. Nga to u nda me optimizëm për fitore në zgjedhjet nacionale, por edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale.

19/12/2013 11:14

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka vazhduar takimet me Degët e partisë në Prishtinë duke i takuar strukturat e degëve 1 dhe 2.

Sipas tij, në këto takime është konstatuar se në pjesë të ndryshme të Prishtinës, por edhe të degëve të LDK’së janë arritur rezultate shumë të mira, ndërsa në disa mjedise rezultatet kanë ngecur.

Pavarësisht rezultatit zhgënjyes për të në garën për Kryetar të Komunës së Prishtinës, Mustafa është ndarë optimist për fitore në zgjedhjet e nacionale të vitit të ardhshëm, por edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale në Prishtinë.

“Dje pasdite, takova Degën e Parë dhe Degën e Dytë të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë , në përbërje të kryetarëve degëve, anëtarëve të kryesive dhe kryetarëve të nëndegëve . Diskutuam për rezultatet e procesit zgjedhor në Prishtinë dhe Kosovë dhe për organizimin për zgjedhjet e ardhshme nacionale”.

“U konstatua se në pjesë të ndryshme të Prishtinës, por edhe të degëve të LDK-së janë arritur rezultate shumë të mira, ndërsa në disa mjedise rezultatet kanë ngecur. Në debat u shpreh gatishmëria e plotë për një punë më të ngjeshur dhe më të përkushtuar me anëtarësinë dhe me qytetarët dhe një përfshirje më e madhe e njerëzve të rinj dhe femrave në proceset e ardhshme politike dhe qeverisëse, si pjesë e reformimeve të brendshme të LDK-së.

Në takim u konstatua se LDK është e vetmja parti politike e cila në këto zgjedhje shënon rritje evidente. Degët shprehën besimin e plotë në fitoren në zgjedhje të ardhshme nacionale dhe në fitoren e Prishtinës në zgjedhjet e ardhshme lokale, ku LDK ka tani numrin më të madh të këshilltarëve komunal”, ka shkruar Kryetari i LDK’së Isa Mustafa në “Facebook”.