Nesër fillon regjistrimi i deputetëve të përbërjes së re parlamentare

Të mërkurën do të fillojë regjistrimi i deputetëve të legjislaturës së pestë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, por ata nuk kanë të drejtë të regjistrohen në subjekt tjetër pa e informuar paraprakisht kryetarin dhe kryesinë e re të Kuvendit.

Lajme

08/07/2014 19:27

Regjistrimi i deputetëve do të bëhet sipas kësaj renditjeje: më 9 korrik do të regjistrohen  deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, më 10 korrik ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa më 11 korrik do të regjistrohen deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të Nisma për Kosovën dhe të komuniteteve pakicë, bën të ditur KosovaPress.

Rregullorja nuk e parasheh se si duhet të regjistrohen deputetët në seancën e parë, nëse duhet ta shënojnë partinë prej nga vijnë apo jo.

Neni 20, pika 2 thotë se “Deputeti ka të drejtë të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në një grup parlamentar, të tërhiqet nga grupi, ta formojë një grup të ri parlamentar, t’i bashkëngjitet një grupi tjetër ose të veprojë si deputet i pavarur. Për secilin rast deputeti është i obliguar që për vendimin e tij ta njoftojë me shkrim kryetarin e Kuvendit”, që do të thotë se deputetët në asnjë mënyrë nuk mund të veprojnë si të pavarur ose me ndonjë grup tjetër para se të zgjidhet kryetari dhe kryesia e re e Kuvendit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka dërguar në Kuvend listën e partive që kanë fituar mandate me emrat e deputetëve të tyre, si dhe numrin e votave që kanë fituar ata deputetë. Një kopje i ka shkuar edhe presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga. (Kosovapress)