Nëse të shtunën vihen barrikada nga uniformat blu, do të provojmë t’i heqim!

Për të shtunën opozita ka thirrur një protestë, nën moton për ta liruar shtetin nga kapja. Në ballë të saj, për herë të parë do të vihet Visar Ymeri, si kryetar i lëvizjes “Vetëvendosje”. Ai ka thënë se protesta do të jetë e qetë, por sipas tij në rast se edhe të shtunën do të vihen barrikada nga uniformat blu, ato do të provohet të hiqen, në mënyrë që të realizohet marshuta.

Lajme

15/04/2015 07:59

“Koha Ditore” ka realizuar një intervistë të gjatë me Ymerin, në pjesën e parë të së cilës ka folur për organizimin dhe motivin e protestës.

Ai ka konsideruar që LDK-ja, partner i PDK-së në pushtet, është bërë hisedare në kapje të shtetit dhe ka thënë se opozita ka për qëllim që, edhe nëpërmjet presionit në rrugë, të mundësojë që institucionet publike të kthehen kah interesat e qytetarëve dhe të Republikës.

“Çka kemi parë në fakt, në marrëveshjen e koalicionit është se PDK-ja dhe LDK-ja do ta ndajnë këtë kapje në dysh. Deri tash ka qenë e një subjekti. Tash po ndahet mes dy subjekteve dhe kjo nuk e ndryshon gjendjen”, ka thënë Ymeri.

Ai ka shtruar nevojën që kësaj t’i jepet start me dorëheqjen e kryetarit të Kushtetueses, Enver Hasani, ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, me shkarkimin e menaxhmentit të RTK-së dhe të Bordit të ZRRE-së.

Megjithatë, ymeri ka treguar se, tash për tash, nuk ka një kërkesë për shkarkim të Qeverisë.

Kreu i “Vetëvendosjes” ka paralajmëruar se protesta do të jetë e qetë. Për ato të dhunshmet që janë organizuar më herët, fajin e ka adresuar te Policia. Ka paralajmëruar se, në rast se edhe të shtunën do të vihen barrikada nga uniformat blu, ato do të provohet të hiqen, në mënyrë që të realizohet marshuta./lajmi.net/