Nëse shkarkohet Jabllanoviqi, bie qeveria

Politikani Naim Maloku vlerëson se nëse Qeveria e Kosovës merr parasysh të zbatojë ultimatumin e dhënë nga partitë opozitare pas protestës të së shtunës, ku kërkohet shkarkimi i ministrit për Komunitet dhe Kthim Aleksandar Jabllanoviq, atëherë Qeveria mund të bie dhe vet.

Lajme

26/01/2015 07:50

Maloku thotë se mundësi e vetme për të dalë nga situata në të cilën gjendet vendi është që Jabllanoviq të tërhiqet nga posti i ministrit dhe në vend të tij, Lista Serbe të dërgojë dikë tjetër.

“Nëse qeveria e zbaton ultimatumin brenda 48 orëve, organizatorët e protestave nuk do të ndalen sepse pas këtij ultimatumi, do të vijnë ultimatume të tjera. Protesta dhe krejt ky proces ka hyrë në një rrugë pa dalje. Në qoftë se qeveria i nënshtrohet ultimatumit të dhënë nga protesta e së shtunës, e cila eskaloi në dhunë, atëherë duhet të japë dorëheqje edhe qeveria, sepse nuk është e zonja ta mbajë pushtetin. Në anën tjetër, e marta është nesër dhe nëse qeveria nuk i nënshtrohet këtij ultimatumi, nuk e dimë se çfarë do të ndodhë pastaj.

Prandaj, nëse qeveria e shkarkon Jabllanoviqin si pasojë e ultimatumit, atëherë do të bjerë edhe qeveria”.

“E vetmja mundësi për dalje nga kjo situatë është që Qeveria e Kosovës ta bindë ministrin Jabllanoviq të tërhiqet. E vetmja rrugëdalje është që Lista Serbe ta tërheqë ministrin nga pozita dhe ta emëroj dikë tjetër”, ka thënë Maloku në intervistën dhënë për Epoka e Re.