Nëse mungoj unë, shqiptari bëhet Kryetar

Krstimir Pantic thotë se moskandidimi i tij, hap mundësinë që një kandidat shqiptar të zgjidhet në postin e Kryetarit të Mitrovicës së Veriut. Ai pohon se duke e parë situatën aktuale, nuk beson se do të ri-kandidojë.

Lajme

24/01/2014 19:07

Moskandidimi i Krstimir Pantic në zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut, mund ta hapë mundësinë e zgjedhjes së një kandidati shqiptar në drejtimin e kësaj Komune.

Kështu e ka vlerësuar rrjedhën e situatës politike në Veri, ish Kandidati i Listës Serbe, Krstimir Pantic.

Në një prononcim për lajmi.net, Pantic thotë se mungesa e pjesëmarrjes së tij në garën për Kryetar të kësaj Komune do të ndikonte edhe në zvogëlimin e numrit të votuesve serbë.

Ai ka përsëritur kushtet e tij për pjesëmarrje, duke kërkuar një proces zgjedhor neutral ndaj statusit.

“Unë nuk e kam ndërmend që të ri-kandidoj përderisa nuk plotësohet kushtet e mia Nëse plotësohen kushtet, atëherë do të mendoj për ri-kandidim. Mirëpo, duke e parë situatën aktuale, nuk mendoj se do të mund të kandidoj”.

“Nëse kushtet nuk plotësohen nga ana e Prishtinës, unë nuk do të marr pjesë në zgjedhje dhe nuk besoj që edhe serbët do të dalin të votojnë. E nëse kjo ndodh, mendoj se do të vihet në dyshim edhe legjitimiteti i këtyre zgjedhjeve”.

“Nëse unë nuk kandidoj, ka mundësi që një person nga partitë tjera të zgjidhet Kryetar dhe nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë shqiptar”.

Ai thotë se ende nuk dihet se kush do të mund ta zëvendësonte atë në garën e këtij subjekti politik për të fituar qeverisjen e kësaj Komune.

“Iniciativa Qytetare Serbe ende nuk ka ndonjë kandidat zyrtar. Unë kam biseduar me këshilltarët komunalë dhe ende nuk kemi arritur të kemi një qëndrim të përbashkët për përfaqësuesin Iniciativës tonë për këto zgjedhje”.

Lideri i Listës Serbe, Vladeta Kostic, ka deklaruar një ditë më parë se ky subjekt mund të funksionojë edhe pa Pantic’in dhe se nuk do ta ri-kandidojnë për Kryetar të Mitrovicës së Veriut.

Mirëpo, ky qëndrim i Kostic nuk i lë shumë përshtypje fituesit të zgjedhjeve të rregullta në këtë Komunë. Pantic ia ka tërhequr vërejtjen Kostic’it, duke i thënë se “nuk ka lidhje me Mitrovicën e Veriut”.

“Vladeta Kostic nuk mund të prezantojë Kandidatin për Mitrovicën e Veriut. Nuk e di se cila është arsyeja e deklaratës së Kostic. Me sa e di unë, ai është vetëm një këshilltar komunal në Graçanicë dhe nuk ka asnjë lidhje me Mitrovicën e Veriut”, ka deklaruar Krstimir Pantic për lajmi.net.