Nëse ka vullnet, reforma kryhet shpejt

Anëtari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Halit Krasniqi, thotë se ka mbetur vetëm edhe pak punë për përfundimin e ndryshimeve të kërkuara. Sipas tij, me një vullnet të përgjithshëm mund të finalizohet Reforma Zgjedhore, pasi dallimet janë shumë të vogla.

Lajme

10/12/2013 06:14

Liderët e forcave kryesore politike në Kosovës janë zotuar dje, gjatë takimit të përbashkët në Ambasadën Amerikane, se do të angazhohen për përfundimin e shpejt të reformës zgjedhore, për t’i hapur kështu rrugën Presidentes Atifete Jahjaga, që të shpall zgjedhjet e përgjithshme.

Zgjedhjet e përgjithshme ose nacionale, siç ka mësuar lajmi.net nga burime të sigurta, sipas të gjitha gjasave, do të mbahen më 21 Shtator të vitit 2014, ditë e diel, e datë për të cilën thuhet se parimisht janë pajtuar pjesëmarrësit e takimit të “Dragodanit”.

Deputeti i PDK’së, Halit Krasniqi, i cili ka punuar në Komisionin për Reformën Zgjedhore, thotë për lajmi.net se në takim ka mbretëruar një klimë e bashkëpunimit edhe mirëkuptimit.

“Nuk janë vërejtur ndarje të thella dhe mospajtime të theksuara”.

“Nga ky takim mund të nxjerrim një konkludim, se ishte një takim pune në të cilin janë trajtuar çështjet për Ligjin për Reformë Zgjedhore dhe ku natyrisht liderët janë pajtuar që sa më shpejt të arrihet koncensusi për të gjitha dallimet që kanë qenë deri tash”.

“Nuk ka dallime të theksuara dhe shpresojmë që së shpejti të fillojë punën e vet Komisioni. Nevojitet vetëm një ‘OK’ i lidershipit të subjekteve politike”.

“Si subjekt politik, PDK është me vullnet të plotë për ta bërë reformën e duhur dhe të preferuar. Natyrisht, konsiderojmë se nuk kanë mbetur shumë punë dhe shumë dallime të mëdha dhe këto mund të kalohen me një vullnet të përgjithshëm”.

“PDK mendon se reforma është e domosdoshme për t`i evituar të gjitha ato defekte dhe ato pakënaqësi që kemi pasur në zgjedhjet e kaluara”.

Partneri i i saj i koalicionit, Aleanca për Kosovën e Re, shprehet e gatshme për të marrë pjesë në zgjedhjet nacionale, kurdo që ato caktohen, pas përfundimit të reformës zgjedhore.

Kryetarja e Grupit Parlamentar të AKR’së, Myzejene Selmani, thotë se nuk i di detajet e takimit, pasi nuk është takuar ende me Kryetarin e Partisë, Behgjet Pacolli. Por, thotë se si subjekt janë gati çdoherë për zgjedhje.

Partia opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kërkon që njëherë të  përmbushen zotimet e dhëna që reforma zgjedhore të përfundojnë sa më shpejt, e pastaj të shkohet në zgjedhje.

Anëtari i Kryesisë së AAK’së, Besnik Tahiri, thotë për lajmi.net se të gjithë duhet të investojnë në reformën zgjedhore, për të mos i lënë mundësi keqpërdorimeve në zgjedhje.

“AAK në radhë të parë kërkon që reforma zgjedhore të përfundohet, e mos të shkohet në zgjedhje dhe ato pastaj të keqpërdoren. Pra, kërkojmë që  vullneti i qytetarit të mos keqpërdoret”.

“Në këtë kuptim të gjitha partitë duhet që të investojnë fuqishëm dhe sinqerisht në reformë”.

“Viti i ardhshëm është vit zgjedhor dhe në këtë kuptim ne jo që jemi gati por ne jemi përgatitur dhe po përgatitemi që në ato zgjedhje të hyjmë sa më fuqishëm”.

“Si subjekt politik ne do të marrim rolin sa më mbështetës, sa më konstruktiv, që procesi zgjedhor të shkojë sa më mirë dhe të jetë në funksion të demokratizimit”.

Disa nga çështjet për të cilat nuk ka pasur pajtueshmëri deri tash mes focave kryesore politike për reformën zgjedhore janë çështja e pragut zgjedhor dhe ajo e ulëseve të rezervuara për pakicat. Po ashtu, nga partitë politike, lypset të dalin me qëndrimet e tyre finale nëse pajtohen për një zonë zgjedhore dhe për lista të hapura.

Sigurisht se përgjigja në këto çështje kërkon më shumë vullnet politik sesa kohë në dispozicion, për t’i dhënë zgjidhje reformës e cila ka mbetur peng i mospajtimeve politike.