Nëse ISIL-i pushton Kobanin, kurdët do ta “pushtojnë” Turqinë

14:08 | 8 Tetor 2014

Refugjatë kurdë duke kërkuar të rikthehen të luftojnë në Kobani

Kobani, qytet sirian, disa qindra metra larg kufirit me Turqinë, i populluar me kurdë, nëse bie në duar të militantëve sunitë të “Shtetit Islamik”, mund të jetë shkas që lufta të fillojë edhe në Turqi. 

Përkundër sulmeve ajrore që kanë vazhduar gjatë natës mbi caqet e organizatës terroriste “Shteti Islamik i Irakut dhe Levanit (ISIL), sulme këto të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, luftimet nëpër rrugët e qytetit kanë vazhduar edhe të mërkurën në mëngjes.

Forcat kurde janë dukë bërë përpjekje të organizojnë një ofensivë të re për të mbrojtur qytetin, ndërsa kurdët sirianë që janë refugjatë në Turqi, dhe ata të Turqisë, që sipas statistikave jozyrtare janë dikur rreth 18 milionë, pritet të vazhdojnë të shprehin mllefin e tyre ndaj politikës zyrtare turke.

Ata duan që nëse jo bashkësia ndërkombëtare, të paktën Turqia, të mos lejojë rënien e qytetit në duart e “Shtetit Islamik” dhe masakrimin e mundshëm të mijëra civilëve kurdë që vazhdojnë të jenë të rrethuar në Kobani.

Edhe i dërguari i OKB-së për Sirinë i ka kërkuar komunitetit ndërkombëtar të veprojnë tani për të parandaluar pushtimin e qytetit nga “Shteti Islamik”, përndryshe siç ka thënë ai, “bota do të turpërohet për atë që mund të ndodh në këtë qytet, porse do të jetë tepër vonë”. 

Staffan de Mistura i ka thënë BBC-së, transmeton lajmi.net, se rënia e qytetit Kobani do të mund të përfundonte me një masakër, një tragjedi humanitare, prandaj sipas tij, duhet marrë veprime që kjo të mos ndodh.

Sulmet ajrore në Kobani, sipas Pentagonit, kaun ndihmuar luftëtarët kurdë të zmbrapsin militantët sunitë të ISIL-it, të cilët në muajin korrik shpallën kalifatin e tyre të quajtur “Shteti Islamik” në tokat e pushtuara të Sirisë dhe Irakut, duke vrarë që atëherë më shumë se 10 mijë sirianë dhe iriakianë, të krishterë dhe myslimanë shiitë.  

“Ne jemi duke ndihmuar përmes sulmeve ajrore që kemi kryer gjatë ditëve të fundit. Sulmet ajrore kanë qenë të dobishme, jo vetëm atje, Kobani, por edhe në rajone të tjera të Sirisë dhe në Irak”, ka thënë zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki.

Por qyteti, nga ku janë larguar tre javët e fundit mbi 160 mijë veta për në Turqi, është i rrethuar nga militantët e ISIL-it në tri fronte, në jug, jug-lindje dhe jug-perëndim.

Udhëheqësi i partisë siriane kurde, Uniteti Demokratik, (PYD), Salih Muslm ka thënë se situata gjatë natës së mbrëmshme ishte shumë serioze, pasi luftëtarët kurdë ishin nën presion të madh të militantëve të “Shtetit Islamik”.

“Nuk ka pasur luftime të ashpra, pasi forcat kurde po përpqien për të mbrojtur civilët”, tha Muslm.

Ndërkohë qeveria turke, e cila javën e kaluar premtoi se nuk do të lejojë rëninen e qytetit Kobani në duar të “Shtetit Islamik”, është vënë përpara presionit të madh të kurdëve, të cilët kanë protestuar nëpër qytete të ndryshme të Turqisë, përfshi edhe Ankaranë. 

Gjatë protestave të mbajtura ditën e djeshme, raportohet se 12 veta kanë humbur jetën në përleshje me policinë, ndërkohë që po dje, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se do të ndërhyjë me trupa tokësore, porse paraprakisht i duhet një marrëveshje me Aleancën e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, e cila prej dy muajsh ka filluar sulmet kundër ISIL-it në Irak, dhe prej tre javësh edhe në Siri.

Por hezitimi i Ankarasë për të mbrojtur qytetin Kobani, sipas analistëve ka të bëjë edhe me qëndrimin e qeverisë turke ndaj popullit kurd, i cili gjithnjë ka shprehur pakënaqësinë me pozitën e vet në Turqi.

Në anën tjetër politikanë dhe analistë kurdë kanë paralajmëruar qeverinë turke që nëse bie Kobani në duar të “Shtetit Islamik”, kjo sipas tyre do të jetë diçka si fillim i “Luftës së Tretë Botërore”, dhe se uniteti i Turqisë do të merr fund.