Nepali shpall tri ditë zi kombëtare

Shteti i Nepalit ka shpallur tre ditë zie për të nderuar viktimat e tërmetit që ndodhi ditën e shtunë. Deri më tani është konfirmuar vdekja e mbi pesë mijë personave nga ky tërmet.

Bota

28/04/2015 20:00

Kryeministri i Nepalit, Sushil Koirala tha se qeveria e tij do të bëjë ç’është e mundur, por vendi është tronditur nga niveli i lartë i kësaj katastrofe.

“Në përkujtim të nepalezve dhe vëllezërve e motrave, të moshuarve dhe fëmijëve, të cilët kanë humbur jetën në këtë tërmet shkatërues, ne kemi vendosur që të shpallim tre ditë zie kombëtare”, tha ai.

Ekipet shpëtuese akoma po kanë vështirësi që të dërgojnë ndihma mjekësore në zonat e largëta në Himalaje. Këto përpjekje po vështirësohen akoma më shumë për shkak të shiut të madh, ndërkaq qindra-mijëra persona janë të detyruar të flenë nën qiellin e hapur.

Organizata e Kombeve të Bashkuara vlerëson se tetë milion njerëz në 39 distrike janë prekur nga tërmeti 7.8 shkallë të Rihterit. Kjo shifër i bie që një e katërta e popullsisë është prekur nga kjo katastrofë natyrore.

Ndërkaq, më shumë se 10,000 persona janë të plagosur. Në mesin e viktimave janë edhe 18 alpinistë, të cilët ishin duke qëndruar në kampin bazë të malit Mont Everest, e të cilët gjetën vdekjen pasi u goditën nga një ortek bore i shkaktuar nga tërmeti.

Më herët kryeministri nepalez kishte bërë thirrje që kushdo që mundet të dërgojë ekipe shpëtuese në Nepal. Ekipet e shpëtimit po kanë problem që të kenë qasje në malet e larta.

Zëdhënësi i qeverisë i ka thënë BBC-së se helikopterët kanë hedhur tenda, ushqim të thatë dhe ndihma mjekësore nëpër fshatrat e izoluara, por akoma mbeten shumë zona të izoluara në të cilat ndihma nuk ka arritur.

nepal 2

Por, kur helikopterët arrijnë që të aterrojnë në çfarëdo zone të Nepalit, atëherë ata rrethohen nga fshatarët, të cilët kërkojnë ushqim, ujë apo edhe evakuim. (lajmi.net)

nepal3