Nëntor e dhjetor i ftohtë për Qeverinë, sindikatat në protesta dhe greva

Sindikatat kosovare po vazhdojnë të shfaqin pakënaqësitë e tyre në formë proteste dhe greve. Sindikatat e kanë një emërues të përbashkët – miratimin e Ligjit për Pagat.

Lajme

25/11/2021 21:38

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka paralajmëruar protesta më 4 dhe 18 dhjetor për Ligjin e Pagave. Megjithatë, nëse nuk arrihet efekti, Jasharaj ka paralajmëruar bllokadë.

“Të gjitha versionet janë të hapura, ne do të bëjmë të gjitha angazhimet e mundura që të hapen dyert e dialogut, që të mos vijë fare as 4 dhjetori. Por, nëse kështu vazhdohet, atëherë do të ketë edhe 4 dhjetor edhe 18 dhjetor dhe fatkeqësisht pastaj gjysmëvjetori i dytë mund të na pres edhe me veprime sindikale edhe me greva, të cilat nuk i duam aspak. Por, i mbetet qeverisë që edhe ajo të reflektojë dhe ta kryjë obligimin e saj”, ka thënë ai për lajmi.net.

Jasharaj paralajmëron masa radikale nëse nuk merren vesh me Qeverinë për Ligjin e Pagave

Për këtë kauzë është ngritur edhe Federata Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës. Përgjatë së enjtës, punonjësit shëndetësor mbajtën një grevë gjysmë-ditore, derisa paralajmëruan edhe për “Grevën e Zagrebit” në rast se nuk dakordohen me Qeverinë për Ligjin e Pagave.

“Greva në përgjithësi ka shkuar mirë, nuk kem pas ndonjë incident. Nuk është punuar tetë orë, kujdestaritë dhe shërbimet emergjente kanë vazhduar punën, nuk i është shërbyer rasteve ambulatore dhe atyre që janë operacione të planifikuara të gjitha janë shty për një ditë. Na vjen keq për popullatën tonë në nevojë por ishim të detyruar të ndërmarrin një hap të tillë, sepse Qeveria jonë është futur në guacë dhe nuk komunikon me ne”, deklaroi gjatë ditës nënkryetari i FSSHK-së, Xhemajl Selmani.

Pakënaqësitë e tyre lidhur me Ligjin e Pagave, krahas pakënaqësive të tjera, do t’i shprehin të premten edhe Sindikata e Shërbimit Civil dhe ajo e Administratës. Këta të fundit do të protestojnë përpara objektit të Qeverisë.

“Ligji i Pagave, buxhetimi i mjeteve për implementimin e ligjit të pagave në ligjin për buxhet për vitin 2022, Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive, Sigurimi Shëndetësor, Njohja e përvojës së punës të gjithë zyrtarëve publik – SHC të dëbuar padrejtësisht dhe me dhunë nga puna gjatë viteve të 90-ta, caktimi i pagës minimale si dhe tendenca për frikësimin dhe politizimin e Shërbimit Civil përmes plotësim ndryshimit të ligjit për zyrtarët publik vlerësojnë se Qeveria e Kosovës nuk është duke shprehur gatishmëri të plotë për të diskutuar lidhur me këto kërkesa substanciale të adresuara nga SSHCK-ja dhe SPAK-u”, thuhet në njoftimin e kësaj sindikate.

“Andaj, konform Ligjit mbi Organizimin Sindikal në Kosovë, si dhe Ligjit për Tubimet Publike, Sindikata e Shërbimit Civil e Kosovës si dhe Sindikata e Pavarur e Administratës e Kosovës morën këtë vendim për protestë, e cila do të mbahet më datën 26.11.2021 duke filluar nga ora 11:00-12:00 në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Numri i pjesëmarrësve do të jetë i kufizuar për shkak të gjendjes pandemike”, deklarohet tutje.

Megjithatë, protestave nga Qeveria iu është përgjigjur ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili përgjatë ditës së djeshme i quajti sindikatat “të kapura”.

“Paralajmërimi i grevave që më shumë kanë synime politike sesa që brengosen për realizimin e të drejtave të personelit shëndetësor, nuk na shpie askund. Zaten, nuk ka mundur të ketë shtet të kapur, pa disa sindikata fort të kapura”, tha Murati përmes një postimi në ‘Facebook’, në formë reagimi ndaj grevës së FSSHK-së.

Murati për paralajmërimin e grevave: Kanë më shumë synime politike, sesa të drejtat e personelit shëndetësorë

Lidhur me këto protesta, mbështetje ka ofruar edhe ish-kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli i cili ka thënë se do dalë t’i mbështes.

“Unë do të jem çdoherë përballë kërkesave të të gjitha sindikatave kur ta kanë nevojë”, pati deklaruar ai në protestën e nëntorit.

Megjithatë, sindikatat mbështetje për kauzat e tyre kanë gjetur në partitë politike opozitare. Përgjatë ditës së djeshme, kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civil, Mursel Zymberi, u prit nga shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, si dhe kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi.

“Ligji për pagat duhet të miratohet dhe zbatohet sa më parë, që të gjithë punonjësit të trajtohen dinjitetshëm në raport me punën e tyre”, u tha në një postim të Krasniqit.

Pakënaqësitë e tyre përgjatë këtij muaji kanë shfaqur edhe punëtorët e Ferronikelit, të cilët që nga 8 tetori kanë mbetur papunë, për shkak se kompania ka ndërprerë punën si shkak i rritjes së çmimit të energjisë.

Mijëra punëtorë të kësaj kompanie po paguhet vetëm 50% të pagës.

Ligji i Pagave nuk ka qenë i përfshirë në projektbuxhetin për vitin 2022, i cili është miratuar në lexim të parë sot në Kuvendin e Kosovës. /Lajmi.net/