Nëntë të arrestuar në Maqedoni, vodhën 2.77 milionë dollarë

Policia vuri në pranga sot nëntë persona, mes të cilëve edhe ish-funksionarë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe biznesmenë aktualë, nën dyshimin për pastrim parash dhe falsifikim të dhënash. 

Lajme

21/10/2014 20:44

Mësohet se njëri prej të ndaluarve është edhe pronari i kompanisë “Delikatesa”, ish deputet dhe anëtar aktual i Këshillit Qendror të LSDM-së, Vanço Gjeorgjiev. Pas aksionit të koduar me emrin “Arsenal”, policia zbuloi se të dyshuarit kanë shfaqur shuma jo reale për rregullim helikopterësh të Ministrisë së Mbrojtjes, duke marrë kështu pjesën e tepruar të parave nëpërmjet firmave të ndryshme jashtë vendit. Sipas vlerësimeve, buxheti i Ministrisë është dëmtuar me rreth 2.5 milionë dollarë. Sipas informatave, një nga të dyshuarit, ka qenë punonjës deri vonë në Ministrinë e Mbrojtjes, i dënuar me kusht në procesin gjyqësor për aferën “Pjesët e tankeve”, raporton Alsat-M.

“Të akuzuarit, që të gjithë në lidhje familjare, kanë formuar një grup kriminal për t’u pasuruar. Gjatë periudhës nga viti 2004 deri në vitin 2009, në mënyrë të paligjshme kanë arritur të përfitojnë 2 milionë e 768 mijë dollarë, me shfaqjen e vlerës jo reale për rregullimin e 6 helikopterëve të Ministrisë së Mbrojtjes. Personat kanë vepruar në mënyrë të tillë, duke formuar dy firma të huaja, një në Bullgari dhe një tjetër në Britani të madhe, me qëllim që organet kompetente të Maqedonisë të mos kishin qasje në transfertat e parave dhe aktivitetet e tjera të paligjshme”, deklaroi Ivo Kotevki, zëdhënës i MPB-së.

Të gjithë të dyshuarit janë nxjerrë para gjykatësit hetues dhe pritet që ndaj tyre të caktohet masa e arrestit!