Nëntë deputetë shqiptarë në “Listën e zezë” të SHBA-ve
Nëntë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë të kësaj legjislature dyshohet se janë futur në “Listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Lajme
Një ditë pas lajmit se Ambasada Amerikane anuloi takimin me Grupin e Miqësisë Shqipëri – SHBA, për shkak se në përbërje të tij ka elementë të inkriminuar, portali ekspres.al publikoi një listë të deputetëve që SHBA-të nuk do të donin të ishin më pjesë e këtij grupi.
Janë të gjithë deputetë të shumicës PS – LSI, mes tyre edhe një grua.
Sipas këtij portali, që u referohet burimeve konfidenciale pranë Kuvendit, bëhet fjalë për deputetët Artur Bushi, Pjerin Ndreu, Mark Frroku, Tom Doshi, Paulin Sterkaj dhe Esmeralda Shkjau, nga PS, si dhe Shkëlqim Selami, Gjovalin Kadeli e Luan Duzha, nga LSI.
Ambasada amerikane në Tiranë ishte e para që reagoi ndaj përjashtimit të Tom Doshit nga PS. Ajo e përshëndeti vendimin dhe sqaroi se për Doshin ka pasur shqetësime të karakterit kriminal që ua kishte bërë të njohur prej kohësh autoriteteve shqiptare.
Prania e Doshit në listën e Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri – SHBA u konsiderua si një prej arsyeve të anulimit të takimit. Por ai nuk është shqetësimi i vetëm për Ambasadën. Amerikanët kanë të njëjtin problem edhe me 8 deputetë të tjerë.
Gjithsesi, portali ekspres.al nuk jep detaje për arsyet e përfshirjes së këtyre deputetëve në “Listën e zezë” të SHBA-ve.
Shqetësimin SHBA-të ia kanë shprehur fillimisht në rrugë joformale kryekuvendarit Ilir Meta. Për disa muaj me radhë në përbërje të grupit nuk ka pasur asnjë ndryshim. Meta e ka konsideruar të pamundur ndryshimin, pasi e ka konsideruar si një çështje jashtë kompetencave të tij, për shkak se anëtarët e Grupit të Miqësisë propozohen nga grupet parlamentare.
Ambasada e SHBA-ve nuk është mjaftuar me këtë sqarim dhe i ka nisur një e-mail zyrtar Metës, në janar të këtij viti. Kryetarit të Kuvendit i është kërkuar zyrtarisht që disa deputetë të dyshuar si të lidhur me krimin apo me të shkuar kriminale, të mos jenë pjesë e Grupit të Miqësisë.
Tre muaj më vonë, kur asgjë s’ka ndryshuar ende, SHBA ndërmerr një tjetër akt të fortë kundër deputetëve për të cilët ajo ka të dhëna se janë të inkriminuar, duke e shtyrë Takimin e Grupit të Miqësisë.
Kryetari i Grupit të PS, Pandeli Majko i pohoi dje ABC News se takimi është anuluar dy herë dhe se arsyeja ishin zhvillimet aktuale politike në vend. Ambasada nuk i ka komentuar ende këto zhvillime. Nuk është e qartë se cili do të jetë hapi radhës që ajo do të ndërmarrë për këtë çështje.