Nënshkruhet Kontrata Kolektive
Kryeministri Hashim Thaçi tha se Kontrata Kolektive do të konsolidojë dhe modernizojë tregun e punës në Kosovë. Ai tha se për këtë marrëveshje Qeveria do të jetë garantues për zbatimin e saj.

Lajme
Është nënshkruar Kontrata Kolektive, dokument ky që do të rregullojë raportet mes punëdhënësit dhe punëmarrësit.
Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se ky hap është shumë i rëndësishëm drejt modernizimit të tregut të punës.
“Jemi mbledhur këtu sot për të marr një hap shumë të rëndësishëm në konsolidimin dhe modernizimin e tregut të punës të Kosovës. Së bashku jemi këtu për të nënshkruar Kontratën Kolektive të Kosovës, një nënshkrim që përfundoi tash, si akt juridik që do të rregulloj raportet në mes punëdhënësit dhe punëmarrësit”.
“Kjo marrëveshje është shumë e vlefshme për Kosovën por që është më e avancuar dhe më gjithëpërfshirëse sesa ligji i punës”.
“Kjo kontratë përcakton themelimin e marrëdhënies së punës, të drejtat, obligimet dhe përgjegjësitë e punëdhënësit dhe punëmarrësit, orarin e punës, punën e natës, pushim vjetor, atë të lehonisë, sigurisë në punë, mbrojtjen e shëndetit të të punësuarit dhe mbrojtjen e ambientit të punës”.
Kryeministri Thaçi tha se kjo marrëveshje do të rrit stabilitetin e punëtorëve. Ai tha se Qeveria do të jetë garantues i kësaj marrëveshje nga e cila do të fitojë e gjithë Kosova.
“Kjo marrëveshje do të rrit stabilitetin e punëtorëve në vendin e punës duke qenë stabil dhe duke pasur kushte më të mira, të punësuarit do të jenë më të motivuar dhe më të përkushtuar ndaj punës”.
“Qeveria do të jetë garantues i zbatimit të kësaj marrëveshje dhe do të sigurojë përmbushjen e të drejtave që ju takojnë punëtorëve”.
“Nga kjo kontratë do të përfitojë mbarë Kosova pasi do të përmirësojë ndjeshëm klimën e tregut tonë të burimeve njerëzore dhe do të minimizojë mosmarrëveshjet dhe pakënaqësitë që lidhen me to”, tha Kryeministri Thaçi.

Në anën tjetër, kryetari i BSPK’së, Haxhi Arifi tha se Kontrata Kolektive do të hap rrugë që edhe në nivele të tjera të fillojnë të nënshkruhen edhe kontratat sektoriale.
“Për ne si Bashkim i Sindikatave është dita më e lumtur që e nënshkruajmë këtë dokument i cili për ne është me rëndësi të veçantë. Me një punë që është bërë për tu hartuar kjo marrëveshje për ne është diçka që prej 2008 nuk kemi pasur një dokument të tillë dhe meqenëse se sot është nënshkruar kontrata, mendoj se tani do të zbres edhe në nivele të tjera që i hap rrugë sektoreve të tjera që të nënshkruajnë marrëveshje sektoriale”.
Ndërkaq, kryetari i OEK’ut, Safet Gërxhaliu tha se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje po “shkruhet kapitulli i ri në historinë sociale” të Kosovës.
“Besoj se po shkruhet një kapitull i ri në historinë sociale të Kosovës. Ky dokument do të duhet të jetë një dëshmi të provimit të kaluar me sukses në Kosovë sa i përket dialogut, sa i përket partneriteti e komunikimit publiko-privat dhe mbi të gjitha për qasjen sociale karshi punëtorëve në Kosovë”.
Kryetari i Aleancës kosvare të biznesit, Agim Shahini tha se nga kjo marrëveshje, më shumë se 174 milionë euro, për çdo vit do të shkojnë në xhepat e punëtorëve.
“Kjo kontratë do të ketë një kosto dhe kjo kosto do të jetë e përballueshme për sektorin privat. Nga analizat e bëra nga AKB’ja, me këtë kontratë kolektive do t’i dalin nga buxheti i sektorit privat dhe publik, brenda vitit më shumë se 174 milionë euro dhe këto do të shkojnë në xhepat e punëtorëve”.
Ndërkaq, Alush Sejdiu nga Këshilli Ekonomik- Social, tha se Kontrata Kolektive dizajnon më së miri raportet mes punëdhënësve dhe punëmarrësve.
“Është me rëndësi që ky dokument i detajizon në mënyrë më të detajuar raportet mes punëdhënësve dhe punëmarrësve dhe ju mundëson punëtorëve të zgjedhin në formën më të lehtë të mundshme kontestet eventuale që kanë”, tha Alush Sejdiu pas nënshkrimit të Kontratës Kolektive.