Nënshkruhen disa marrëveshje bashkëpunimi Shqipëri-Gjermani
Marrëveshjet janë nënshkruar për financimin e programit të zhvillimit ekonomik, për nxitjen e punësimit dhe formimit profesional, etj
Lajme
Mes Shqipërisë dhe Gjermanisë janë firmosur sot disa marrëveshje bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, si për financimin e programit të zhvillimit ekonomik, për nxitjen e punësimit dhe formimit profesional dhe marrëveshje të tjera, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve që u organizua në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë, merrnin pjesë ministri i Financave dhe Ekonomisë i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë i Shqipërisë, Damian Gjiknuri, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, të cilët nënshkruan marrëveshjet e bashkëpunimit me ambasadoren e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schütz dhe përfaqësues të tjerë të palës gejrmane.
Në fjalën e tij, ministri i Ahmetaj u shpreh se nënshkrimi i këtyre marrëveshje konfirmon “marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.”
“Nënshkrimi sot konfirmon marrëdhëniet e shkëlqyera që Shqipëria ka me Gjermaninë. Njëra marrëveshje i referohet akordimit të një fondi grand prej 6 milionë euro për financimin e programit ‘zhvillim ekonomik dhe rajonal’, për promovimin e punësimit dhe trajnimin për arsimin profesional. Kjo marrëveshje granti është në vijim të dy marrëveshjeve të tjera të nënshkruara me palën gjermane gjatë vitit 2017, duke e çuar vlerën e përgjithshme të financimeve në këtë program në masën 16.5 milionë euro”, tha Ahmetaj.
Sipas Ahmetajt, objektivi kryesor i programit është përmirësimi i situatës së vetëpunësimit, në veçanti tek të rinjtë, në lidhje me tregun lokal të punës, për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe në projektet për investime.
Sipas tij, programi synon përmirësimin e kapaciteteve të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, duke përfshirë forcimin e sipërmarrjes, forcimin e aftësive teknike dhe manaxheriale të punonjësve.
Nga ana e saj ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, Susanne Schütz, theksoi se gjatë vitit 2016-2017 qeveria gjermane ka investuar në Shqipëri rreth 100 milionë euro.
“Sot nënshkruajmë dy marrëveshje për rehabilitimin sipas parimit të efiçencës së energjisë së banesave të qytetit studenti në Tiranë dhe qeveria federale ka vënë në dispozicion deri tani 15.8 milionë euro. Me këto fonde do të përmirësohet ndjeshëm izolimi dhe do të rinovohen impiantet e ngrohjes. Krahas kësaj do të rinovohen pajisjet sanitare, kuzhinat dhe dhomat e studimit. Pas përfundimit të projekteve prej këtyre masave do të përfitojnë rreth 3000 studentë dhe kursimet e energjisë të siguruara do të lehtësojnë ndjeshëm barrën e arkës publike në masën 60 për qind. Gjermania dhe Shqipëria po përmirësojnë kushtet e jetesës dhe para së gjithash ato të studentëve, duke u kujdesur në të njëjtën kohë për një mbrojtje më të mirë të klimës dhe të mjedisit”, deklaroi ambasadorja Schütz.
Gjithashtu është nënshkruar marrëveshje edhe për nxitjen e punësimit dhe formimit profesional, ku Schütz tha se do të ofrohet mbështetje edhe për sipërmarrësit e rinj në zhvillimin e ideve inovatore.