Nënkryetarja e Prishtinës Donjeta Sahatçiu: Barazia gjinore 50/50 në vendimmarrje, mision në të cilin besojmë dhe të cilin do ta realizojmë

Në kuadër të Konventës Programore të Gruas Demokratike të Kosovës, është mbajtur paneli i katërt i diskutimit me temën “Gratë, Hapësirat Publike dhe Kultura”. Në këtë panel, i cili u moderua nga Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës Donjeta Sahatçiu morën pjesë Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, deputetja Eliza Hoxha, Kryetari i Komunës së…

Lajme

24/09/2022 15:55

Në kuadër të Konventës Programore të Gruas Demokratike të Kosovës, është mbajtur paneli i katërt i diskutimit me temën “Gratë, Hapësirat Publike dhe Kultura”.

Në këtë panel, i cili u moderua nga Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës Donjeta Sahatçiu morën pjesë Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, deputetja Eliza Hoxha, Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, Drejtoresha për Shërbime Publike në Komunën e Drenasit, Lumnije Krapi dhe Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi.

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu në hapje të këtij diskutimi u shpreh se kjo është një ditë e veçantë për të, duke qenë se “Bashkë! 50 me 50” është vazhdimësi e kauzës që ajo e ka përqafuar.

“Për mua kjo ditë është e veçantë, sepse për herë të parë jam pjesë e një organizimi të tillë dhe është një emocion e i veçantë edhe për shkak të kauzës në të cilën po bëhem pjesë, sepse është një kauzë së cilës i përkas, e kam përqafuar tepër shumë, plus që është vazhdimësi e “Prishina na bashkon”. Kështu që lidhet shumë mirë me atë pse unë jam në kryeqytet, ekipi është në kryeqytet dhe ne po vazhdojmë tutje”, theksoi ajo.

Sa i përket hapësirave publike, Sahatçiu tha se hapësirat ekzistuese publike nuk janë të dizjanuara nga gratë dhe për gratë.

“Hapësirat ekzistuese publike as nuk kanë qenë të dizjanuara nga gratë dhe as nuk janë dizajnuar për gratë. Hapësira të reja publike nuk është që jemi duke dizajnuar në mungesë të komplet infrastrukturës ligjore, mirëpo kjo e paraqet edhe sfidën në nivelin lokal”, shtoi Sahatçiu.

Ajo ka thënë se barazia gjinore 50/50 në vendimmarrje, është mision në të cilin besojnë dhe të cilin do ta realizojnë.

Deputetja Eliza Hoxha theksoi se përtej sfidës nga të tjerët, PDK e ka sfiduar veten e vet përbrenda dhe motoja 50 me 50 për barazi gjinore, është një moment i tillë.

“Në beteja të ndryshme, në kontekstë të ndryshme, gjithmonë përtej sfidës nga të tjerët PDK e ka sfiduar veten e vet përbrenda dhe ky është një moment i tillë.Nëse flasim për hapësirën publike, normalisht që ajo nuk mund të shkoqitet jashtë qytetit dhe jashtë hapësirës ku ne jetojmë, banojmë dhe punojmë, por hapësira si e tillë lidhet me gjithcka që ne bëjmë dhe veprojmë në jetën tonë, sepse shquhet me të hapurit e saj karshi cdo kategorie njerëzore, edhe në kuptim gjinor. Prandaj, si e tillë duhet të garantoj që është aty me të hapurti e saj për t’i përfaqësuar të gjitha kategoritë barabartësisht, por që moti ky balanc nuk ekziston aty, sepse hapësira publike nuk është gjithmonë neutrale sidomos ndaj aspektit gjinor”, tha ajo.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura tha se hapësirat publike, planifikimi urban dhe kultura janë pasqyra e një qyteti.

“Për ne si komuna është në vetvete problematik planifikimi urban, sepse shpesh edhe pse ekzistojnë procedura ligjore dhe konsulta publike që zhvillohen sipas ligjit, aty pjesëmarrja e qytetarëve është e ulët. Pastaj është një proces që ka një afat ligjor dhe nuk mund të ndryshohet dhe rrethanat e reja krijojnë nevoja dhe kërkesa të komunitetit për hapësira të caktuara”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj tha se është shumë e rëndësishmë që hapësirat publike të dizajnohen në atë mënyrë që t’i përmbushin nevojat e personave për të cilat janë destinuar.

“Na duhen akoma më tepër hapësira publike, na duhen më shumë sheshe, më shumë parqe, më shumë shtigje për bicikleta. Na duhet rritja e numrit të hapësirave publike, të cilat janë të dizajnuara dhe të destinuara për një numër të caktuar apo për një profil të caktuar të përsonave, të cilët i shfrytëzojnë ato”, shtoi Totaj.

Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi theksoi se qytetet ofrojnë dicka më shumë kur janë të ndërtuara nga të gjithë, dhe PDK në krye të kësaj komune synon të qeveris ndryshe nga mënyra se si është qeverisur më herët.

“Kur ato ndërtohen nga të gjithë ofrojnë dicka më shumë dhe kjo do të thotë kur ndëtohen nga burra dhe gra, nga të rinj dhe të reja, pleq. Pra nga të gjithë ne. Ne në Han të Elezit e kemi ndërtuar këtë kauzë në fakt, që shumica gjatë fushatës kanë menduar që ne po e bëjmë vetëm një lloj paraqitje demagogjike të zzakonshme para mediave vetëm sa për të fituar votat. Ne kemi ndërtuar një ekip me 50 për qind burra dhe 50 për qind gra”, tha Ballazhi.

Drejtoresha për Shërbime Publike në Komunën e Drenasit, Lumnije Krapi tha se PDK është parti e guximit, e shtetndërtimit, që udhëhiqet me idenë e parimit të gjithpërfshirjes së grave në politikë.

“Ne duhet të gjithë ta kuptojmë që gratë, nënat, bashkëshortet, bijat nuk janë ilustrim, por jemi plotësisht të barabarta me burrat. Shteti nuk ndërtohet as me 30 për qind, as me 40 për qind, por me 50 për qind gjithpërfshirje në të gjitha fushat dhe segmentet e shoqërisë. Drenasi si bastion i pathyeshëm i PDK-së, tashmë 6 vite aplikon parimin e gjithpërfshirjes së grave në vendimmarrje”, shtoi Krapi.