Nënkryetari i Prishtinës: Drejtori i “Pastrimi”-t veç ushtrues detyre, shpejt shpallet konkursi

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, thotë se Alban Krasniqi është emëruar ushtrues detyre i drejtorit të ndërmarrjes Pastrimi, ndërsa konkursi për drejtor do të shpallet gjatë këtij muaji. 

Lajme

18/01/2015 16:38

Komuna e Prishtinës e drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje, ka emëruar për ushtrues detyre të drejtorit të ndërmarrjes Pastrimi, aktivistin dhe ish kandidatin e kësaj partie për kryetar të Malishevës, Alban Krasniqi. 

Mediat i kanë rikujtuar Vetëvendosjes kritikat e saj ndaj qeverisë për emërime partiake nëpër ndërmarrjet publike, me theks, se ajo tani edhe vetë po vepron në të njëjtën mënyrë. 

Për këtë sot, përmes Facebook-ut ka reaguar nënkryetari i Komunës, Dardan Sejdiu, i cili ka thënë se Krasniqi është emëruar vetëm ushtrues detyre i drejtorit ekzekutiv të ndërmarrjes Pastrimi, ndërsa konkursi për drejtor do të shpallet gjatë këtij muaji. 

“Këtë muaj shpallet konkursi për Drejtor Ekzekutiv të Ndërmarrjes Pastrimi.

Deri në atë kohë Ushtrues Detyre është vendosur të jetë Alban Krasniqi. Albani është një njeri me vlera të larta dhe zotësi të duhura për tu kujdesur që as edhe një ditë me shumë mos të zhvatet kjo ndërmarrje.

Konkursi do jetë i hapur dhe do përzgjidhet personi me kompetencë dhe zotësi”, ka shkruar Sejdiu. (lajmi.net)