Nënkryetari i LDK-së kërkon nga AAK të lëshoj pe për kryeministirn

Zyrtarë të lartë të LDK-së, thonë se në rrethanat e krijuara, pas vendimit që kandidatin për kryetar të Kuvendit t’ia votojnë PDK-së, ata meritojnë më shumë në marrëveshjen që e kanë me partitë tjera të bllokut. Nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, thotë se beson se edhe partneri i koalicionit, AAK, do të ketë mirëkuptim dhe do të ketë qasje pozitive, duke mos e dëmtuar marrëveshjen.

Lajme

15/11/2014 19:59

Në një prononcim për KosovaPress Rugova thotë Lidhja Demokratike e Kosovës historikisht ka vepruar dhe ka sakrifikuar për avancimin politik të Kosovës, por në rrethanat e reja të krijuara LDK meriton me shumë. 

“Shikoni ne gjithmonë historikisht, si parti politike kemi vepruar në kuadër të marrëveshjeve të ndryshme, në kuadër të asaj që Kosova në përgjithësi të avancoj në kuptimin politik, edhe në kuptimin e krijimit të institucioneve të saj, por edhe të pavarësisë së saj, prandaj ne në këto rrethana jemi edhe tash e tutje. Mirëpo, megjithatë mendoj që LDK meriton me shumë në këto rrethana, e jo gjithmonë LDK-ja të jetë ajo që sakrifikon, e cila përkundër interesave të veta partiake ka marr vendime që nuk kanë qenë në favor të LDK-së, prandaj nuk do të guxojmë dhe nuk do të lejojmë rrethana të tilla. Megjithatë, tash për tash ka njëfarë pjekurie politike në Kosovë, është tepër të kërkohet prej LDK-së, të viktimizohet në të gjitha rrethanat”, ka thënë Rugova.

Ai shtoi se nuk duhet të thuhet se nuk do të lejojnë asgjë, sepse sipas tij, nëse thonë se nuk do të lejojnë asgjë, atëherë pse duhet të bisedohet.

Rugova beson se edhe partneri i koalicionit, AAK, do të ketë mirëkuptim dhe do të ketë qasje pozitive, duke mos e dëmtuar marrëveshjen, por edhe krijimin e mundësisë që të ecet përpara.

“Unë besoj se një pjesë e madhe e tyre, do të kenë mirëkuptim dhe shpresoj dhe unë jam i bindur se AAK-ja do ta bëjë këtë. Në fund të fundit AAK-ja të jetë në protezat pozitiv në këtë drejtim, që edhe nuk e dëmtojnë marrëveshjen, por edhe krijon mundësinë të ecet përpara”, theksoi ai.

Ndërsa, sa i përket lakimit të emrit të Lutfi Hazirit si kryeministër konsensual, Rugova ka thënë se nuk është diskutuar asnjëherë në organet e LDK-së.

“Jo, jo që nuk do të dëshiroja të ishte një gjë e tillë, edhe nuk është temë ajo, nuk është diskutuar. Unë thash nuk është lakuar emri i Lutfi Hazirit, do të thotë nuk është kjo temë, ai është kryetar i Gjilanit, do ta kryej mandatin atje, tha Rugova.

 

Kurse, rreth një Qeverie gjithëpërfshirëse, ai mendon se në demokraci nuk ekziston termi gjithëpërfshirëse, sepse sipas definimit të tij, në demokraci institucionet i formon shumica.