Nëna vret me thikë djalin 4-vjeçar, tenton vetëvrasje

Krimi në familje duket se i kalon përmasat e tragjikes, kur dora e nënës drejtohet nga vetë fëmija i saj. E kështu ka ndodhur në orën 03:00 të mëngjesit të së dielës në fshatin Godolesh të Elbasanit, kur nëna 26-vjeçare, Nexmie Dushku ka qëlluar me thikë djalin e saj vetëm 4 vjeçar, duke e lënë të vdekur nga plagët e marra.

Lajme

10/08/2014 14:00

Si raporton gazeta Shqiptarja, ngjarja ka ndodhur në banesën e familjes Dushku, ku në një moment reflektimi ka qenë shumë e vështirë për nënën e re të gjendet para fëmijës së vrarë, e në këto kushte të rënda psikolgjike ka tentuar të vetëvritet, duke qëlluar veten me të njëjtën thikë që kreu vrasjen makabre, teksa ka qëlluar disa herë në drejtim të vetes.

Gjatë kohës që po tentonte të vetëvritej, ajo është zbuluar nga të afërmit e saj, me të cilët jetonte në banesë. Ata kanë lajmëruar policinë, ndërkohë që 26-vjeçarja fillimisht është dërguar në Spitalin e Elbasanit.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në kushtet e depresionit, nga i cili vuante prej tre vjetësh, kohë që përputhet edhe me vitet që ishte ndarë nga bashkëshorti. Ish-bashkëshorti i saj jeton në Angli, ndërsa prej kohësh mësohet se midis çiftit të divorcuar ka pasur probleme mbi të drejtën e mbajtjes së fëmijës.