Nën hetime edhe propaganduesit, antiterrorizmi s’ka lidhje me Islamin

Policia e Kosovës është duke përgatitur edhe një aksion tjetër për të luftuar ekstremizmin fetar dhe grupet që nxisin shkuarjen e shtetasve të Republikës së Kosovës për të luftuar e kryer akte terroriste në Siri dhe Irak.

Lajme

15/09/2014 14:30

Një zyrtar i lartë i Ministrisë së Brendshme i ka thënë lajmi.net në kushte anonimiteti se një ekip i specializuar antiterrorist po heton edhe dhjetëra persona të tjerë të dyshuar se mund të kenë lidhje me organizatën terroriste të ashtuquajtur “Shteti Islamik i Irakut dhe Levanit” (ISIL), por edhe propagandues të ekstremizmit fetarë.

 “Siç dihet, deri tani janë në paraburgim ose arrest shtëpiak mbi 40 persona, por numri i atyre që janë nën hetime është më i madh. Brenda ditës apo javësh pritet të ketë edhe arrestime të tjera të individëve që dyshohet të kenë lidhje me ISIL-in apo celula të saj nëpër botën arabe, por edhe në rajon”, ka thënë zyrtari i lartë i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës.

Ai ka thënë se pas arrestimeve të fundit dhe intervistimit të të paraburgosurve, hetimet janë zgjeruar, dhe se bëhet fjalë për individë, organizata joqeveritare me fonde të dyshimta dhe disa imamë që përmes ligjëratave dhe manipulimeve, kryesisht të të rinjve, nxisin urrejtje ndërfetare dhe kombëtare, gjithnjë duke e keqpërdorur fenë, në rastin konkret fenë Islame.

“Fatmirësisht ne si popull nuk manipulohemi lehtë nga ekstremizmi fetar, i cilësdo fe, dhe për këtë kemi ardhur në përfundim se as ekstremizmi fetar dhe as rreziku nga terrorizmi nuk është në përmasa shqetësuese. Sidoqoftë, është me rëndësi që të gjitha hallkat e sigurisë janë bërë bashkë për të luftuar një të keqe të mundshme”, ka thënë burimi i lajmi.net.

Ai ka qartësuar se lufta kundër terrorizmit nuk është luftë kundër Islamit ashtu sikurse propagandojnë individë dhe grupe të caktuara, që sipas tij, domosdoshmërisht janë nën mbikëqyrjen e Policisë dhe Agjencisë së Inteligjencës.

 “Terroristet, sidomos ata të ISIL-it, me veprimet e tyre çnjerëzore, kanë dëshmuar se nuk kanë të bëjnë asgjë me Islamin, ashtu sikurse është dëshmuar nga ne se një pjesë e shtetasve të Kosovës që kanë shkuar në Irak dhe Siri për të luftuar, nuk ishin të manipuluar nga imamët, por të dhënë pas parave të premtuara dhe atyre që synonin t’i fitonin duke shfrytëzuar kaosin që mbretëron në këto dy vende”.     

 “Myslimanë të devotshëm, që shkojnë apo nuk shkojnë në xhami, janë ata që mbjellin paqe, ata që respektojnë vlerat e tyre fetare dhe kombëtare, ata që promovojnë tolerancën ndërfetare, dhe të tillë jemi shumica e neve shtetasve të Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Kjo është vlerë e jona shtetërore dhe kombëtare, për të cilën organet e sigurisë janë të betuara ta ruajnë pavarësisht pengesave që mund të nxiten dhe vijnë nga qarqe të ndryshme anti-kosovare dhe anti-shqiptare”.    

Deri më tani rreth 20 shtetas të Kosovës janë vrarë në Siri dhe Irak, ndërkohë që grupi terrorist përkrah të cilit kanë luftuar, ISIL, ka vrarë mbi pesë mijë civilë irakianë, të krishterë dhe myslimanë shiitë.  

Ndërkohë, sot në Paris po mbahet mbledhja e ministrave të jashtëm nga dyzet vende të botës, midis tyre edhe përfaqësues të dhjetë shteteve arabe, për të diskutuar planin e mposhtjes së “Shtetit Islamik”.

Kryeministri Hashim Thaçi, nj ditë pas publikimit të strategjisë nga presidenti amerikan, Barack Obama, për të mposhtur militantët sunitë të ISIL-it, ka deklaruar se Kosova është pjesë e Aleancës botërore në luftimin e kësaj të keqe.

Dyzet (40) persona të dyshuar se kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak përkrahë organizatave të shpallura terroriste, si ISIS dhe Al-Nusra, u arrestuan më 11 gusht nga Policia e Kosovës, nën dyshimin se kanë kryer vepra penale kundër Rendit Kushtetues dhe Sigurisë Kombëtare të Republikës Së Kosovës.