Negociatat, presidenti i KE: Meritë e Shqipërisë, BE nuk po ju bën asnjë nder

Medalja e “Mirënjohjes Publike” iu dha sot Donald Tusk, president i Këshillit Evropian, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Shqipëri.

Lajme

17/09/2019 16:48

Por në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, pasi e falënderoi për medaljen, Tusk tha se medalja më e madhe për të do të ishte hapja e negociatave të Shqipërisë me BE-në.

Presidenti i BE-së theksoi se Shqipëria është më pranë objektivit të çeljes së negociatave dhe se duhet të trajtohet si çdo vend tjetër i Ballkanit.

Sipas Tusk, anëtarësimi i Shqipërisë në BE është në dobi të të gjithë Evropës dhe në këtë aspekt, askush nuk po i bën askujt ndonjë nder.

“Anëtarësimi i Shqipërisë dhe i rajonit në BE është në interesin e të gjithë Evropës, pasi nuk mund të ketë Evropë të sigurt dhe stabil pa integrimin e të gjithë Ballkanit Perëndimor në BE. Këtu bëhet fjalë për rëndësinë madhore të së ardhmes tonë të përbashkët dhe kjo do të thotë se askush nuk po i bën askujt ndonjë nder”, u shpreh Tusk./tch