Në zgjedhje për zgjidhje

Albin Kurti thotë në Istog se Vetëvendosje do ta ndalë burimin e korrupsionit. Sipas tij, zgjidhja është VV. Po ashtu, përmend një Republikë të re të Kosovës.

Lajme

17/10/2013 15:46

Albin Kurti po synon që ta bëjë një Republikë të re të Kosovës, me bashkimin e prodhimit, drejtësisë e barazisë.

Kështu ka deklaruar ai, gjatë tubimit elektoral në Komunën e Istogut, të enjten, derisa vazhdoi fushatën për zgjedhjet e 3 nëntorit.

“Vetëvendosje dëshiron që duke i bërë bashkë prodhimin, drejtësinë e barazinë, ta bëjë një Republikë të re të Kosovës, një Republikë që do të ketë liri për qytetarët brenda vetes, dhe liri për t’u bashkua me Shqipërinë jashtë vetes”.

Lideri i Vetëvendosjes ka kritikuar qeverisjen në Istog dhe ka ftuar qytetarët që ta votojnë kandidatin e VV’së.

Kurti është shprehur se qytetarët duhet ta votojnë Florin Dreshajn, që, sipas tij, t`i japin fund të keqes në Komunën e Istogut.

“Më 3 nëntor ju do të keni shumë opsione para vetes, por do ta keni vetëm një zgjedhje që është zgjidhje. E ky është Florin Dreshaj, ky është numri 61”.

“Ne do ta ndalim këtë burim të korrupsionit dhe nuk mund të lejojmë, nuk mund të durojmë, që edhe 4 vjet tjera kjo qeverisje t’ia nxijë edhe jetën qytetarit, edhe fytyrën Komunës.”

“Më 3 nëntor është shansi që duhet shfrytëzuar, është mundësia që duhet përdorur, për t’i bërë ndryshimet aq të nevojshme e aq të domosdoshme për të gjithë juve dhe për secilin prej jush”.

Për ndërtimin e palestrës sportive që ka filluar të ndërtohet para gjashtë vjetësh dhe ende nuk është ndërtuar, ai ka fajësuar Kryetarin aktual Haki Rugovën.

“Në anën tjetër, palestra e sporteve ka filluar të ndërtohet para 6 vjetësh, por ajo nuk është përfunduar ende për shkak se punimet janë ndërprerë përgjysmë, e punimet i ka fituar kompania ‘Ma Con’, ku aksionar është edhe Kryetari aktual Haki Rugova me vëllezërit e tij.”

“Me Lëvizjen Vetëvendosje  në qeverisjen të Istogut nuk ka më politikanë që bëhen biznesmenë dhe ushtrojnë nepotizëm, duke i bërë biznesmenë edhe vëllezërit e tyre dhe duke fituar tenderë në mënyrë të paligjshme prej Komunës se Istogut.”