Në vitin 2000 në Kosovë temperaturat arrinin deri në -30 gradë Celcius

Sot parashihet të jetë dita më e ftohtë e kësaj jave. Në mëngjes u shënuan temperaturat deri në – 18C.

Lajme

25/01/2022 09:42

Sipas faqes Prishtina Weather, acari polar e ka përfshirë Europën juglindore, ndërkaq temperaturat më të ulëta në Kosovë janë shënuar më 26 janar të vitit 2000, -29.2 gradë Celcius.

Ndërkaq, në janar të vitit 1985 në Prishtinë ishin regjistruar temperatura prej -27.2 gradë Celcius.

“Sado këto temperatura të regjistruara në vendin tonë të jenë të ulëta, duhet cekur se temperatura më e ulët në Prishtinë është regjistruar më 13 janar të vitit 1985 me -27.2C, e në aeroportin e Prishtinës -29.2C më 26 janar të vitit 2000. Herën e fundit temperatura minimale edhe deri në -24C u regjistruan para pesë vitesh në janarin e vitit 2017”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, thuhet se acari polar që ka pushtuar Europën juglindore në këto ditët e fundit, në rajon solli temperatura mjaft të ulëta.

“Dita e martë edhe parashihej të ishte më e ftohta e kësaj jave. Mëngjesin e sotëm në aeroportin e Prishtinës u regjistrua temperatura prej -18C, e në qytet deri në -14C. Në pjesët tjera të vendit në Anamoravë zbriti në -15C, -13C e -11C në Dukagjin”, thuhet në njoftimin e Prishtina Weather.

“Mirëpo ngricat u shtrinë edhe nga Shqipëria, deri në bregdet, -4C u regjistrua temperatura minimale në Durrës e -5C në Vlorë, e krejt në jug në Sarandë -2C. Më në brendi u regjistruan temperatura prej -8C në aeroportin e Tiranës, -5C në qytet në Tiranë, me -8C ishte Kuçova si dhe Gjirokastra, -6C Shkodra, e vendet më të ftohta ishin Korça e Peshkopia me -13C. Ngricat prekën edhe Ulqinin me -3C, Podgoricën me -3 e -1C, ndërkaq vendi më i ftohtë në rajon ishte Sjenica me -25C”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, mot i acartë pritet edhe në ditët e ardhshme, mirëpo që temperaturat gradualisht do të fillojnë të rriten. /Lajmi.net/