Në Tiranë digjet flamuri grek

Para ambasadës greke në Tiranë, të mërkurën është mbajtur një protestë nga Lëvizja 'Reago', kundër vrasjes së shqiptarit Ilia Kareli në një nga burgjet e Greqisë. Gjatë protestës, është djegur edhe flamuri grek.

Lajme

02/04/2014 16:17

Përfaqësues e Lëvizjes ‘Reago’ kanë kërkuar zbardhjen e rrethanave të vrasjes së Ilia Karellit dhe kanë kërkuar vënien e autorëve para drejtësisë, transmeton Gazeta Idea.

Më tutje, protestuesit kanë këkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë që të kërkojë llogari nga shteti grek për ngjarjen e ndodhur.

Vrasjen e shqiptarit nga dhuna e ushtruar e torturat e gardianëve grekë në burgun e Nigritas, ‘Reago’ e ka quajtur “një akt terrorist”.

Protestën e kanë përcjellur edhe forcat e policisë, duke u kujdesur për sigurinë dhe duke parandaluar përshkallëzimin e situatës.