Në shtator do t’ia nisim punës!

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, është shprehur i bindur se në pjesën e dytë të shtatorit do ta drejtojë Kosovën si kryeministër për katër vitet e ardhshme.

Lajme

14/08/2014 09:39

Ai ka bërë të qartë se koalicioni LDK-AAK-Nisma i ka numrat për ta formuar Qeverinë dhe ka përjashtuar çfarëdo bashkëqeverisje me PDK-në.

Haradinaj për “Epoka e re” ka thënë se do të ishte mirë për PDK-në dhe Thaçin që këtë herë ta japin kontributin duke qenë pjesë e opozitës.

“Besoj se në pjesën e dytë të muajit shtator do të jem duke e udhëhequr vendin. Në pjesën e dytë të shtatorit do t’ia nisim punës”.

Haradinaj ka deklaruar se do ta udhëheqë dialogun me Serbinë, por është shprehur i gatshëm t’i japë përgjegjësi në këtë proces edhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai ka thënë se koalicioni ende nuk i ka ndarë postet ministrore por sipas tij, hisen e qeverisjes e kanë ndarë në bazë të kuotës.

“2.5 është kuota për LDK-në, 1 për AAK-në dhe 0.5 është për Nismën”, është shprehur ai.