Në Shqipëri studiojnë rreth 500 studentë italianë

Televizioni italian “Rai Due” i ka kushtuar Shqipërisë një dosje me tema të ndryshme, duke përmendur edhe investimet italiane në Shqipëri si dhe studentët italianë që studiojnë aktualisht në Shqipëri.

Lajme

03/05/2015 15:49

Mes kësaj dosje është edhe një intervistë e shkurtër e kryeministrit Edi Rama.

“Ne bëjmë pjesë në familjen e Evropës jugore. Nuk mund të ëndërrojmë të bëhemi si Gjermania dhe Zvicra sepse besoj se do të ishte e mërzitshme, por ta bëjmë Shqipërinë një Itali të vogël, do të ishte shumë bukur, ndoshta me më pak burokraci dhe me më shumë iniciativa”, ka thënë Rama.

Ndërkaq, sa i përket studentëve italianë në Shqipëri ka folur ambasadori italian në Tiranë, Massimo Gaiani. Ai ka thënë se Shqipëria ka një traditë të fortë për pranimin e studentëve, por në vitet e fundit kjo traditë humbi pak për shkak të hapjes së 50 universiteteve.

“Shqipëria ka një traditë shumë përzgjedhëse dhe të fortë për pranimin e studentëve me rezultate shumë të mira në universitetet publike. Gjatë viteve të fundit ka humbur paksa, si pasojë e hapjes së rreth 50 universiteteve private, të cilat janë shumë për një vend me 3 milionë banorë. Kohët e fundit qeveria ka përfunduar një proces vlerësimi të saktë të këtyre universiteteve, si dhe të atyre publike, duke ju hequr licencën disave prej tyre dhe duke dhënë një garanci për t’i bërë këto universitete qendra të vërteta studimi dhe jo qendra që japin thjesht diploma”, ka thënë Gaiani, transmeton Balkanweb.

Sot në Shqipëri studiojnë rreth 500 të rinj italianë, të cilët frekuentojnë Universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë”, i vetmi universitet në gjuhën italiane, i hapur në vitin 2004, dhe që ka arritur të mbetet jashtë skandalit të diplomave false.