Në Shqipëri për fundjavë me familje, aksidentohet Genc Meraku (Foto)

Një familje nga Kosova u aksidentua për shkak të shpejtësisë së madhe me të cilën po udhëtonin në Rrugën e Kombit.

Lajme

01/05/2015 17:42

Aksidenti ndodhi mesditën e së premtes në afërsi të vendit të quajtur Ura 16-metërshe e segmentit rrugor Kukës-Morinë.

Familja kosovare po udhëtonte me automjetin tip “Range Rover” me targa 01338, drejt bregdetit shqiptar për fundjavë, kur automjeti u përplas me trafikëndarësen.

Si pasojë e përplasjes u lënduan lehtë drejtuesi i automjetit , G Meraku 41-vjeçar, djali 11-vjeçar dhe bashkëshortja e drejtuesit të mjetit 41 vjeç, raporton Shekulli.

Ndërsa, burime të lajmi.net, bëjnë të ditur se bëhet fjalë për pronarin e kompanisë “ZeroPozitive” nga Prishtina, ish kandidat i AAK-së për kryetar të Prishtinës, Genc Meraku.

Rastin për lajmi.net e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së Shtetit në Shqipëri, Laura Totraku.

Ajo ka thënë se drejtuesi i mjetit ‘Range Rover’, me inicialet G.M., bashkëshortja dhe djali i tij, kanë marrë lëndime të lehta në aksident, dhe pas mjekimit në spitalin rajonal të Kukësit, janë kthyer për në shtëpinë e tyre në Prishtinë. (lajmi.net)

aa